Fjalë të mëdha për Majlindën nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos

​Federata Ndërkombëtare e Xhudos (IJF) e ka përgëzuar Majlinda Kelmendin për medaljen e artë në Grand Slamin e Dusseldorf.
Federata Ndërkombëtare e Xhudos (IJF) e ka përgëzuar Majlinda Kelmendin për medaljen e artë, të cilën e fitoi sot pas dominimit absolut në kategorinë deri në 52 kilogramë në Grand Slamin e Dusseldorfit.
Xhudistja kosovare ishte e papërmbajtshme dhe i mposhti me lehtësi kundërshtaret një nga një.
Në fund ajo u stolis me medalje të artë, e cila ishte e dyta për të në vitin 2019 pas asaj në Grand Prix të Tel Avivit, që e kishte fituar javë më parë.
Dhe, Federata Ndërkombëtare e Xhudos e ka vlerësuar lartë Kelmendin, por e ka përmendur edhe faktin se kjo medalje e artë shkon për shtetin e saj, Kosovën.
“Në një betejë taktike të Kumi-kata, Majlinda Kelmendi e ka dominuar finalen e kategorisë deri në 53 kilogramë kundër garueses nga Mongolia, Lkhagvasuren. Kelmendi e ka detyruar kundërshtaren t’i bëjë tri gabime me tre kartonë të verdhë. E artë për Kosovën!”, shkruan në grupin zyrtar të IJF-së në Facebook.