Flet qytetari që u rrah nga Shpejtim Bulliqi: Më kapi për krahu dhe më sulmoi

470

Policia e Kosovës sot ka bërë të ditur se janë duke e hetuar rastin ku pretendohet se kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka sulmuar fizikisht një qytetar.

Ramadan Zymberi, zyrtari për shërbime publike në komunën e Podujevës, i cili e ka bërë denoncimin, në një lidhje direkte në Info Magazine në Klan Kosova, ka pohuar që kërcënimi dhe sulmi fizik nga kryetari Bulliqi ndaj tij ka ndodhur.

Ai ka treguar që ka shkuar në QKMF për të marrë autoambulancën për nënën e tij.

“Më kapi për krahu dhe më sulmoi. Kërcënimi dhe sulmi fizik ka ndodhur. Janë kamerat aty që mund t’i shohim, por për shkak të procedurës që rrjedhë për rastin nuk dua të flas më shumë”.

“Bulliqin e kam pasë bashkëpartiak, nuk kam asgjë personale me të. E kam denoncuar rastin dhe policia do të merren. Me siguri ka ndikuar politika”.

Ndryshe këto akuza janë mohuar nga kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, i cili thotë që këto pretendime janë të pavërteta dhe po bëhen për të dëmtuar reputacionin e tij si kryetar i Komunës dhe subjektit në prag të zgjedhjeve.