FMN-ja demanton Besnik Bislimin për rritjen ekonomike

0
463

Rritja e kapaciteteve prodhuese në Kosovë në vitin 2021, sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar, është për rreth një për qind më e ulët sesa të dhënat e Qeverisë së Kosovës.

Në një raport të publikuar të martën, FMN-ja tha se Kosova shënoi rritje ekonomike prej 9.5 për qind vitin e kaluar, raporton Paparaci.

Por, sipas një deklarimi të Besnik Bislimit, Kosova ka shënuar rritje të prodhimit prej 10.5 për qind. Këtë të dhënë, Bislimi ia ka dhënë ministrit të qeverisë së Britanisë së Madhe, Michael Ellis, në një takim bilateral mes tyre më 6 prill.

“Rritja ekonomike për vitin 2021 me 10.5%, si dhe avancimi me 17 vende në indeksin e Transparency International në luftën antikorrupsion, duke qenë të parët në rajon, janë tregues të progresit të Kosovës”, thuhej në një deklaratë të Zyrës së Zv/Kryeministrit Bislimi pas takimit me qeveritarin britanik në Prishtinë.

Ndërkaq, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka thënë se pret që Bruto Produkti Vendor i Kosovës të rritet për 2.8% këtë vit.

Inflacioni mesatar i çmimeve të konsumit në Kosovë pritet të shkojë në 9.5 për qind më 2022 nga 3.3 për qind, sa ishte vitin e kaluar, para se të bjerë në 3.3 për qind më 2023, tha FMN-ja.

Deficiti aktual tregtar i Kosovës, që ishte 9.1 për qind si përqindje e GDP-së më 2021, parashikohet të bjerë në 8.9 për qind më 2022 para se të zvogëlohet edhe më shumë në 7 për qind më 2023.

FMN-ja pret që GDP-ja e zonës së Evropës në zhvillim, ku përfshihen edhe Rumania, Turqia, Bullgaria, Serbia, Kroacia, Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Moldavia, Mali i Zi dhe Maqedonia Veriore, të ulet për 2.9 për qind më 2022 para se t’i kthehet një rritjeje prej 1.3 për qind më 2023.