Foshnja shtatëmuajshe, fëmija 3 vjeç dhe gruaja shtatzënë infektohen me koronavirus në Kamenicë

Në tërë Kosovën tashmë janë identifikuar 423 persona të prekur me koronavirus.

Në Kosovë sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë gjithsej 423 persona të prekur me koronavirus.

Në mesin e 423 personave me COVID-19, 23 janë vetëm nga komuna e Kamenicës.

Vetëm gjatë së mërkurës në këtë komunë janë identifikuar edhe tetë raste të reja me koronavirus, katër nga fshati Topanicë, fshat ky që është në karantinë si dhe katër të tjerë nga fshati Hodonoc.

Në fshatin Hodonoc në mesin e të infektuarve me koronavirus është edhe një foshnje shtatë muajsh, një fëmijë tre vjeç dhe një grua në muajin e gjashtë të shtatzënisë.

Kjo gjë është konfirmuar për lajmi.net nga Komuna e Kamenicës.

Zëdhënësja e Komunës së Kamenicës, Margarita Rashiti, ka bërë të ditur për lajmi.net, se fatmirësisht gjendja shëndetësore e shtatzënës është stabile.

“Atëherë, në mesin e tetë të infektuarve të tjerë që dje kanë dalë pozitiv, është edhe një grua shtatzënë. Ajo është në muajin e gjashtë të shtatzënisë dhe gjendja e saj është stabile. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me të gjithë të infektuarit dhe gjithashtu kemi angazhuar edhe psikologë që i kontaktojnë kohë pas kohe. Rasti në fjalë është rast kontakti dhe gjithashtu anëtarët tjerë të familjes janë me virusin SARS CoV-2-, në mesin e tyre një fëmijë tre vjeç dhe një foshnje shtatë muajsh”, ka deklaruar Rashiti për lajmi.net.

Sipas saj, në tërë komunën e Kamenicës deri me tani janë identifikuar 255 persona që kanë pasur kontakte me të infektuarit me koronavirus dhe se 48 familje janë në vetizolim.

“Deri më tani ne kemi identifikuar 255 persona që kanë pasur kontakt me të infektuarit dhe aktualisht kemi 48 familje në vetizolim e që monitorohen nga Policia. Normalisht që do të ishte mire të testohen të gjithë, por edhe mundësitë e Institutit të Shëndetësisë Publike janë të kufizuara”, ka treguar Rashiti

Theksojmë se deri më tani në tërë Kosovën janë 423 persona të prekur me koronavirus, 71 prej tyre kanë arritur që të shërohen plotësisht ndërkaq, fatkeqësisht 11 persona kanë ndërruar jetë të cilët përveç që ishin të prekur me koronavirus ata vuanin edhe nga sëmundje të tjera.

Në mesin e 423 të prekurve me koronavirus janë edhe tri gra shtatzëna, një nga Prishtina, një nga Gjakova dhe rasti i fundit nga Komuna e Kamenicës, përkatësisht fshati Hodonoc.