Franca: Hiqeni ose suspendojeni taksën

Ambasada e Francës në Prishtinë ka thënë se taksa 100 për qind, e vendosur para më shumë se tre muajsh ndaj produkteve serbe, duhet të pezullohet ose të largohet.
Por pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të ndërkombëtarëve për suspendim të taksës kryeministri Ramush Haradinaj po vazhdon të zotohet se taksa nuk hiqet pa pasur paraprakisht një marrëveshje për njohje të Kosovës nga Serbia.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës ndaj produkteve që vijnë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina ka nxitur reagime të shumë shteteve të fuqishme të botës, të cilat po vazhdojnë të kërkojnë heqjen ose pezullimin e kësaj tarife. Një gjë të tillë tashmë e ka kërkuar edhe Franca.
Zyrtarë të Ambasadës së Francës në Kosovë i kanë thënë gazetës “Zëri” se qëndrimi i tyre rreth kësaj çështjeje është më se i qartë, që masa ndaj produkteve serbe dhe atyre boshnjake duhet të suspendohet ose të largohet.
Ndërkohë, edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) në mënyrë të pareshtur janë duke kërkuar pezullimin e tarifës prej 100 për qind.
Si pasojë e barrikadimit të Qeverisë kundër heqjes së taksës SHBA-ja madje ka nisur edhe vendosjen e sanksioneve ndaj Kosovës.

Lini një Përgjigje