Frashër Krasniqi: Shpifjet e pandërprera të VV-së na kanë detyruar të merremi me këto tema

Deputeti i PSD-së, Frashër Krasniqi, ka thënë se debati rreth SHIK-ut me Lëvizjen Vetëvendosje nuk është i dëshirueshëm për ta.

Por ai ka dhënë që arsye se pse po ndodh kjo.

“Duhet të flitet për tema politike dhe jo kush çfarë ka bërë. Tash e një vit Vetëvendosje na ka akuzuar me shpifje e pa fakte e as pa logjikë. Kjo situatë nuk ka përfunduar një vjet. I kemi lutë lini këto debate dhe ata kanë vazhduar në nivelin e ultë”.

Krasniqi ka pohuar se mendojnë se jo të gjithë që kanë qenë pjesë e Shërbimit Informativ të Kosovës kanë kryer punë të këqija, njofton Klan Kosova.

“E kemi thënë se nuk është problemi nëse dikush ka qenë në SHIK në vitin 2000-2001, por problemi është kur ti ke qenë në SHIK dhe akuzon të tjerët pa bazë, ish shokët tuaj, se ‘keni dalë nga Vetëvendosje dhe jeni SHIK”.

“Dy javë pa u larguar nga Vetëvendosje e kemi marrë vesh se Glauk Konjufca ka qenë në SHIK. Në momentin që Dardan Molliqaj e ka thënë këtë, e ka pasur një reagim gati pohues prej Glauk Konjufcës. Ai pas kësaj deklarata i ka thënë në holl të Kuvendit Sali Salihut se ‘pse po flini këso gjëra, unë kam qenë moti në SHIK.

Sali Salihu e ka thënë të vërtetën. Argument dhe fakt është kur e tregon në detaje se çfarë funksioni ka pasur personi në fjalë, pagën që ka marrë, sa vjet ka shërbyer, pse e ka lënë punën dhe kush e ka rekrutuar”.