Ftohet edhe një ish-ushtar i UÇK-së nga Gjykata Speciale

Gjykata Speciale ditë më parë ka kontaktuar edhe një ish-ushtarë të UÇK-së, të cilin e ka ftuar për intervistim.

Burime të Indeksonline bëjnë me dije bëhet fjalë për Xhevdet Thaçi, i cili gjatë kohës së luftës ka qenë i angazhuar në Shtabin e Përgjithshëm për futjen e armatimit në pjesën e Hasit të Gjakovës.

Thaçi do të intervistohet nga Dhomat e Specializuara brenda pak ditësh.

“Nga Gjykata Speciale më kanë kontaktuar para 5 ditëve. Kam qenë ushtar i thjeshtë, por kam lëvizë me shtabin e përgjithshëm në futjen e armatimit në pjesën e Hasit të Gjakovës, kam qenë herët i kyqun në UÇK deri në plagosje që kam pas më 13 qershor të vitit 1998 në kufirin Kosovë- Shqipëri, pastaj jam kthyer përsëri”, ka thënë Thaçi për Indeksonline.

Thaçi ka thënë se nuk i është bërë me dije nëse është ftuar në cilësinë e dëshmitarit apo të dyshuarit.

“Nuk e di, porse unë edhe më herët jam intervistuar nga UNMIK-u dhe EULEX-i, sigurisht që jam i pafajshëm”, ka shtuar tutje ai.

Thaçi më 13 qershor të vitit 1998 u plagos nga forcat ushtarake serbe në kufirin Kosovë- Serbi.

Lini një Përgjigje