Fundi i një gjysmëvjetori “të suksesshëm!”

Shkruan: Burim Gjaka

Gjatë këtij gjysmëvjetori vazhdimisht kemi pasur vendime në lidhje me shkollat, herë nga MASH, e herë nga institucionet tjera shëndetsore, por që fatkeqësisht shumica e tyre përveq që nuk kanë qenë mirë të analizuara kanë prodhuar edhe efekte negative në proces!

Pa u ndalur për të humbur kohë duke u marrur me vendimet tjera, vlenë të analizohet ky vendimi i fundit për përfundimin e gjysmëvjetorit të parë shkollor më 18 dhjetor, që saktësisht nuk po dihet se nga kush është marrë, nga MASH, MSH, IKSHPK, apo të gjithë bashkë, sepse patëm deklarime të ndryshme nga përgjegjësit e këtyre i stitucioneve duke marrur patronatin për këtë vendim. Një vendim i cili është shpërndar përmes mediave dhe rrjeteve sociale, pa u përcjellur shkollave në rrugë zyrtare specifikon se gjysmëvjetori i parë mësimor përfundon më 18 dhjetor 2020, ndërsa gjysmëvjetori i dytë fillon më 18 janar 2021.

Pa asnjë analizë të mirëfillt profesionale, se çka prodhon ky pushim i gjatë në këtë kohë dhe cilat do të jenë pasojat te fëmijët, shkurtohet koha e mësimit dhe zgjatet pushimi një muaj. Fillimisht këtu paragjykohet në lidhje me gjendjen pandemike, sikurse ata që e kanë marrur këtë vendim e dinë saktë se çka do të ndodhë pas 18 dhjetorit apo para 18 janarit. Çka e ndryshon gjendjen shkurtimi i gjysëmvjetorit për 5 ditë pune, përveq që ua prish planifikimet mësimdhënësve dhe shkollave?. Momentalisht numri i të infektuarve po shkon duke u ulur, prandaj nuk e di se si është nxjerrur ky vendim. Nuk ka arsye për mbyllje të shkollave e as shkurtim të gjysmëvjetorit, përderisa lokalet mbeten me përplotë njerëz gjatë ditës. Dhe e fundit nëse i mbyllim shkollat ku do të qëndrojnë fëmijët? Asesi vetëm në shtëpi, por në parqe, në sheshe, në rrugë, në video lojëra etj. Apo ndoshta aty nuk ndodhet virusi?

Duke e ditur se shumica e shkollave, sidomos shkollat e mëdha në qytete shumë pak kanë mbajtur mësim në shkolla, nuk do të duhej të merrej ky vendim. Ndoshta do të duhej edhe të zgjatej gjysmëvjetori i parë, sidomos për nxënësit e nivelit 1 ( klasët I,II,III,IV,V), sepse edhe ashtu jemi shumë mbrapa me mësimnxënie. Në njërën anë kësaj moshe ua kemi hequr maskat dhe në anën tjetër ua kufizojmë të drejtën për shkollim me arsyetim të gjendjes pandemike, kjo nuk do koment. “Apo ndoshta këto institucione janë marrur shumë me mësimdhënësit dhe nxënësit e infektuar dhe se synimet për rezultate janë arritur dhe ne nuk kemi njohuri. Ndoshta edhe ndihma për shkollat ka qenë në nivel, sidomos me staf mbështetës, zëvendësues të mësimdhënësve të infektuar, mjete teknologjike etj. dhe tash ka mbetur vetëm ndërprerja e gjysmëvjetorit para kohe”.
Në anën tjetër edhe Udhëzimi për mësim me 3 skenare ka qenë vetëm i hartuar, por asesi nuk është monitoruar zbatimi i tij, sidomos mësimi online përmes platformave. Prandaj është marr ky vendim për shkurtim mësimi sikurse edhe ky për 3 skenarët dhe shumë e shumë tjerë, që përveq që është hargjuar letër dhe ngjyrë nuk kanë prodhuar asnjë rezultat real.

Qëndrimi i nxënësve në pushim një muaj, do ta zbehë edhe më shumë dëshirën dhe vullnetin e fëmijëve për shkollën. Edhe ashtu këtë vit fëmijët më shumë kan qëndruar në shtëpi sesa në shkollë. Prandaj konsideroj se duhen hapa dhe vendime që t’i mbajmë sa më shumë fëmijët në shkollë asesi e kundërta. Me të drejtë nga secili individ dhe institucion është konstatuar se mësimin me prezencë në shkollë nuk e zavendëson asnjë formë tjetër, prandaj qasja e sicilit duhet të orjentohet në këtë drejtim. Nuk mund të presim asnjë rezultat pozitiv në arsim me këtë qasje.

Do të doja që vendimet e ardhëshme të MASH-it dhe institucioneve tjera të më befasonin për të mirë dhe do t’i demantonin konkluzionet e mia. Fundja duke e kuptuar këtë qasje ndaj arsimit në tërsi, do të lutesha që të paktën kur të ofrohet data 18 janar, të mos kemi debate dhe vendime kontraverze se a do të filloj mësimi apo jo!
Shëndet, suksese dhe gëzime për të gjithë shqiptarët, posaqërisht për fëmijët që janë e ardhëmja e vendit dhe duhet të trajtohen të tillë!