Fytyra e vërtetë e Serbisë: Ushtarët serb nderojnë çetnikun, Drazha Mihajlloviq

Fotografitë me pjesëtarë të Ushtrisë Serbe, që në uniforma vendosin kurorë në monumentin e komandantit çetnik, Drazha Mihajlloviq dhe të rënëve të të ashtuquajturës Lëvizja Çetnike e Ravnogorasve, dalin të jenë të vërteta. Burimet e ditores serbe Blic vërtetojnë këtë, transmeton Fokusi.

Gjithçka nisi kur në rrjetet shoqërore u shfaq një fotografi që u cilësua si e dyshimtë, e cila u shpërnda dhe u komentua në mënyrë masive. Në fillim heshtën zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, për të demantuar më vonë këto pretendime për nderin që u është bërë përfaqësuesve të politikës ekstreme nacionaliste serbomadhe.

Megjithatë, fotografitë dalin të jenë të besueshme e jo fotomontazhe. Këtë e pranuan edhe në kabinetin e ministrit serb të Mbrojtjes, Aleksandar Vulin. Ky skandal pra ka ndodhur!

“Anëtarët e Ushtrisë së Serbisë nuk kishin leje për këtë. Ajo u bë përkundër planit dhe programit që merr Këshilli i Qeverisë për respektimin e traditave të luftërave çlirimtare të Serbisë”, thotë bashkëbiseduesi i Blicit.

Në përgjigjen zyrtare që kishte marrë më herët Blic thuhet se delegacionet e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Ushtrisë së Serbisë kanë vendosur kurora në memorialin e përfshirë në planin vjetor të pjesëmarrjes në aktivitetet ndërkombëtare dedikuar ruajtjes dhe kujtimit të viktimave të konflikteve të armatosura në të kaluarën dhe të shënimit të përvjetorit të ngjarjeve historike të luftërave çlirimtare të Serbisë!

“Delegacioni jonë zyrtar nuk ka vendosur kurorë askund e në asnjë vend që nuk përfshihet plani i cekur dhe që nuk janë në përputhje me programin shtetëror, e pra as te monumenti i Drazha Mihajlloviqit”, u tha në njoftim.

Analisti ushtarak serb, Aleksandar Radiq, thotë për Blic se gjithçka është e mundshme e madje edhe që gjëra të tilla të ndodhin në Ushtrinë e Serbisë.

“Nëse Ministria e Mbrojtjes nuk e ka ditur që pjesëtarët e saj nderojnë çetnikët, nga ta pres përgjigje se kush u shfaq në Ravna Gorë, cila njësi dhe pse. Përndryshe, çkado që mendojnë ata, Ushtria e Mbretërisë së Jugosllavisë është mundur në Luftën e Dytë Botërore dhe është e papranueshme të madhështohen forcat kolaboracioniste (me nazifashistët)”, thotë ai.

Nga ana tjetër, Predrag Bogiçeviq, kryetar i Unionit të Lëvizjes së Ravnogorasve, thotë se “kjo është një nga vargjet e ndryshimeve pozitive që ndodhin në Ushtrinë e Serbisë në muajt e fundit”.

“Shumë gjëra me rëndësi po ndodhin në qarqet ushtarake. Ushtria fillimisht nderon ravnogorasit e ekzekutuar, e nënkoloneli Simoviq madje ka kënduar këngë çetnike dhe çdo të mirë ka thënë për Drazhën dhe mbështetësit e tij”, ka thënë ai për Tanjug. /Fokusi.info/