Gashi: Amerikanët na paralajmëruan për sanksione serioze

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po e vazhdojnë presionin e tyre ndaj Kosovës për pezullimin ose heqjen e taksës ndaj produkteve serbe dhe atyre nga Bosnjë Hercegovina. Së fundmi, një delegacion amerikan i kryesuar nga John Earth dhe Brad Berkley kanë kërkuar të shfuqizohet kjo masë,  përndryshe shteti mik i Kosovës do të vazhdojë me sanksione edhe më serioze.
Sot është raportuar se zyrtarët e lartë amerikanë në një takim me liderët politikë u kanë kërkuar që të largojnë taksën ose Amerika do të tërheqë trupat amerikanë dhe të shuajë bazën e Bondstilit në Kosovë.
Një gjë të tillë nuk e ka mohuar as zv/kryeministri Dardan Gashi i cili ka qenë pjesë e takimit me amerikanët sot. Ai në një prononcim për Periskopin ka treguar se John Earth dhe Brad Berkley kanë qenë shumë të ashpër dhe kanë paralajmëruar sanksione edhe më serioze ndaj shtetit kosovar.
‘’Ka pasë biseda shumë serioze dhe shumë të hapura. Ndër të tjerash është përmendur edhe mundësia e ndonjë sanksioni më serioz për Kosovën’’, ka thënë Gashi për Periskopin.
I pyetur drejtpërdrejt nëse heqja e bazës të Bondstilit do të jetë sanksioni i radhës, Gashi ka thënë se është vendim ekskluziv i Shteteve të Bashkuara, por ata natyrisht janë shumë të irrituar me qëndrimet tona që nuk po i dëgjojmë.
“Atë e kanë shprehur vazhdimisht, nuk është hera e parë. Edhe kanë ngjarë me paralajmëru se sanksionet që i kanë vendos deri më tani, sanksionet që vec e dini që kanë qenë publike. Mund të pasojnë me sanksione më serioze. Kanë qenë shumë serioze ato që i kanë paralajmëruar se mund të ndodhin. Nuk po e mohoj që kanë paralajmëru heqjen e kampit të Bondstilit, megjithatë kanë folur për sanksione shumë serioze që ndikojnë edhe për sigurinë e Kosovës por edhe që mund t’i dëmtojnë shumë seriozisht marrëdhëniet me shtetet e Bashkuara të Amerikës’’, ka theksuar Gashi.
John Earth dhe Brad Berkley, janë dy zyrtarët e lartë amerikanë, që dje kanë arritur për vizitë në Kosovë. Gjatë ditës së djeshme, ata janë takuar me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe me kryeministrin Ramush Haradinaj. Në këtë takim, dy zyrtarët e lartë amerikanë, kanë ripërsëritur mesazhin e qartë të Shtëpisë së Bardhë, atë se taksa ndaj Serbisë duhet të pezullohet dhe t’i hapet rrugë dialogut.
Ndryshe, Kampi Bondstil është baza kryesore e Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës nën komandën e KFOR-it në Kosovë. Ajo është e vendosur  afër Ferizajt dhe shërben si kryeqendër e NATO’s për Task Forcën Shumëkombëshe të Lindjes.