Gashi i LDK-së dhe Klinaku i LB-së me qëndrime të kundërta lidhur me deklaratën e Edi Ramës

Në emisionin “Info magazine” të Klan Kosovës u zhvillua një debat në mes të Arben Gashit, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Avni Klinakut, sekretar i përgjithshëm i Lëvizjes për Bashkim, lidhur me deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama që Kosova dhe Shqipëria të kenë një president të përbashkët.

Deputeti Arben Gashi ka thënë që deklarata e kryeministrit shqiptar, Edi Rama që Kosova dhe Shqipëria të kenë një president të përbashkët, sipas tij është e “rrezikshme”.
Sipas Gashit kjo deklaratë e nxituar e Ramës, ka elemente të propagandës politike për konsum të brendshëm. “Një deklaratë e tillë më shumë ushqen dëshirë për ndarje të Kosovës”, ka thënë Gashi.
Sipas Gashit, “ky lloj diskursi nuk është për momentin në interes të shqiptarëve dhe mendoj se është diskutimi retorik jofrytdhënës në gjendjen që është Kosova”.
Ndërkaq Avni Klinaku ka thënë që nuk ka asgjë të keqe lidhur me deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama që Kosova dhe Shqipëria të ketë një president të përbashkët. “Do t’i kisha propozuar që edhe rezidencën ta bëjë në Prizren dhe ta bëjmë presidentin e përbashkët”, ka shtuar Klinaku.
“Ne nga Lëvizja për Bashkim e kemi mirëpritur një deklaratë të tillë edhe pse mendoj që kjo gjë duhet bërë me kujdes dhe në përputhje me rrethanat”.
Ai ka thënë që një deklaratë e tillë si ajo e Ramës vetëm e forcon sovranitetin e Kosovës.
“Asgjë të keqe nuk do të kishte që të kemi një treg të përbashkët dhe të shkojmë drejt integrimeve”, ka theksuar Klinaku.