Gashi: I vetmi subjekt kredibil për të përfaqësuar shqiptarët në bisedime është Lëvizja për Bashkim

Ish ndihmës Komandanti i Zonës Operative të Shalës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sabit Gashi, përmes një postimi në rrjetet sociale thotë që në rast se Amerika insiston në zgjidhjen përfundimtare, përfshirë edhe strategjinë e “gërshërve” të hartës rreth kufijve të dy shteteve, atëherë i vetmi subjekt i organizuar politik kredibil, brenda gjithë trojeve shqiptare, për të përfaqësuar shqiptarët në bisedime është Lëvizja për Bashkim.
Statusi i plotë i tij në facebook:
Kur jemi në rrafshin e hipotezave për një marrëveshje përfundimtare gjithpërfshirëse Kosovë-Serbi.
Në rast se Amerika insiston në zgjidhjen përfundimtare, përfshirë edhe strategjinë e “gërshërve” të hartës rreth kufijve të dy shteteve, atëherë i vetmi subjekt i organizuar politik kredibil, brenda gjithë trojeve shqiptare, për të përfaqësuar shqiptarët në bisedime është Lëvizja për Bashkim, sepse të paktën ka një Platformë politike, të cilës po i qëndron besnik edhe në këtë kohë furtunash, stigmatizimesh dhe denigrimesh, që po i bëhen përfaqësuesve të saj sa herë që po publikojnë qëndrimet e tyre politike.
Në rast se vjen puna deri aty sa të pranohet në tavolinë nje alternative e tillë, nga delegacioni i Kosovës, atëherë po të ishin njerëzorë përfaqësuesit e delegacionit, do të kërkonin nga Kuvendi që të vendosej në ballë të bisedimeve Lëvizja për Bashkim.
Shënime: Aktualisht nuk i përkas asnjë subjekti politik.