Gashi: Kurti rrezikoi largimin e trupave amerikane nga Kosova, i dha vet fund qeverisjes me LDK-në

0
200

Në Kuvendin e Kosovës është duke u mbajtur seanca ku do të hidhet në votim mocioni për rrëzimin e qeverisë Kurti.

Lidhja Demokratike e Kosovës përmes shefit të Grupit Parlamentar, Arben Gashi, ka arsyetuar mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë Kurti.

Gashi ka thënë se veprimet e Kurtit me mos-heqjen e taksës dhe me shkarkimin e Agim Veliut, kanë bërë që t’i jepet fund marrëveshjes me LDK-në.

“Pas një periudhë të gjatë mosveprimi të mosheqjes së taksës sipas kërkesës së SHBA-ve, mosveprim ky që na ka bërë subjekt të sanksioneve amerikane, kryeministri Kurti vendosi t’i jap fund marrëveshjes për bashkëqeverisje me LDK-në duke shkarkuar edhe një ministër pa paralajmërim”, ka thënë ai.

Gashi tutje tha se kryeministri Kurti ka qenë i shtyer nga paranoja apo frika për të menaxhuar me situatat politike.

“Kryeministri i shtyrë nga paranoja apo frika për të menaxhuar me situatat politike ka vendosur të heq dorë nga përgjegjësia për të qeverisur në një kohë kur Kosova kanoset seriozisht në aspektin shëndetësor. Në këtë kohë, presidenti dhe kryeministri kanë gjetur ta luftojnë njëri tjetrin. Albin Kurti ishte figurë e re në qeverisje, dhe LDK u angazhua që qeveria të kishte sukses, sepse ishte në të mirën e të gjithëve. Kjo qeveri u vlerësua si evropiane, e jo një qeverisje e akuzave të eliminimit moral të kundërshtarit. Kurti shkeli marrëveshjen e koalicionit duke shkarkuar pa asnjë paralajmërim ministrin Veliu”, tha Gashi.

Gashi tutje tha se Kurti me veprimet e tij, ka rrezikuar seriozisht largimin e trupave amerikane nga Kosova.

“Qeveria e Kosovës erdhi në pushtet me besimin për një momentum të ri, me arsyetimin për luftën kundër korrupsionit dhe forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Veprimet e qeverisjes Kurti rrezikuan tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova, gjë që do të rrezikonte paqen në vend”, tha ai.

“Me këtë veprim Kuvendi mundëson krijimin e një qeverie të stabilitetit me kohëzgjate të kufizuar e që do të adresonte sfidat kryesore të Kosovës”, tha në fund Gashi duke lexuar tekstin e mocionit.