Gastronomët e pyesin Qeverinë e Kosovës: E tash, kush i ka fajet?

0
85

Pas rritjes së numrit të rasteve pozitive me COVID-19, kryetari i Shoqatës së Gastronomëve, Petrit Kllokoqi ka pyetur Qeverinë e Kosovës se kush është fajtori për rritjen e të infektuarve.

Kllokoqi me anë të një reagimi ka kërkuar nga Qeveria që të diskutojnë edhe me njohës të fushave të ndryshme para se të marrin vendime për masat e reja.

“E tash, kush i ka fajet? Me keqardhje po e shohim situatën me numrin e rritjeve te rasteve edhe në vendin tonë. Sa herë kemi pas rritje të tillë, gjithmonë gishti është drejtuar te dasmat, organizimet, klubet dhe gastronomia në përgjithësi. Po tash që dasmat e klubet nuk kanë punuar dhe gastronomia ka funksionuar me kufizime e masa nga më të rreptat në rajon dhe çdo ditë shumica e bareve janë dënuar, a thua kush i ka fajet?”, ka reaguar Kllokoqi.

Ai shton se duhet të merren shembull vendet e rajonit para se të vendosen masa të reja.

“Ndaluni dhe mendoni pak para se të merrni vendime e masa të reja. Diskutoni me njohës të fushave të ndryshme. Merrni shembull vendet e ndryshme në rajon e gjithandej botës. Nuk është në rregull që kufijtë të jenë të hapur për të pavaksinuarit, të mos ketë dallime në mes të bizneseve që janë të fiskalizuara dhe atyre që funksionojnë në mënyrë informale, të mos ketë dallime mes të vaksinuarve dhe të pavaksinuarëve dhe në fund gjithmonë të jetë kurban gastronomia”, ka shtuar ai.