Gaxherri: VV mandatoi Kurtin pa u konsultuar me LDK-në, ndoshta kanë gjetur partner tjetër

0
344

Lëvizja Vetëvendosje mandatoi Albin Kurtin zyrtarisht për postin e kryeministër duke ia dërguar emrin e z.Kurti Presidentit të Kosovës.

Kurti, në momentin kur ‘letra’ me emrin e tij arriti në Presidencë, ka publikuar edhe një video ku hedh kritika për Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Në anën tjetër, presidenti Hashim Thaçi ka publikuar dekretin ku e mandaton Albin Kurtit për postin e kryeministrit të Kosovës. Në një shkrim të shkurtër në Facebook, Thaçi njofton se nga sot rrjedh edhe afati kushtetues për formimin e Qeverisë për Kryeministër.

Deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri në një prononcim për Periskopin thotë se LVV ka vepruar pa u konsultuar me LDK-në dhe kështu lind dyshimi se partia me të cilën kanë zhvilluar bisedime për rreth 100 ditë, ka gjetë ndonjë partner tjetër për të negociuar për koalicion të mundshëm qeverisës.

‘’Vetëvendosje e ka dërguar propozimin për mandatar te kryeministrit pa u konsultuar me LDK-në, andaj VV ose ka bërë marrëveshje me ndonjë subjekt tjetër ose është e interesuar t’i konsumoj procedurat kushtetuese që procesi të merr tjetër kahje’’, tha Gaxherri.

Tutje, deputetja thekson se nëse LVV nuk është gati për ta formuar qeverinë brenda afatit kushtetues, atëherë LDK do të shkojë në opozitë.

‘’Nëse VV nuk është e gatshme për këto 15 ditë, afat kushtetues që të pranoj ofertën e LDK-së, LDK do jetë në opozitë’’, përfundon Gaxherri.