Gazetarja serbe i ngre tre gishtat Edi Ramës, ja si i përgjigjet ai

Në një intervistë të realizuar me televizonin serb “Pink Tv”, gazetarja serbe ka qenë po aq protagoniste sa kryeministri shqiptar Edi Rama, pikërisht në zyrën e këtij të fundit, në godinën e qeverisë.

Ky i fundit, ka folur hapur për marrëdhënien mes Kosovës dhe Serbisë, duke predikuar dialog dhe paqe, si dhe duke kërkuar zhdukjen e vijave kufitare në rajonin e Ballkanit.

Por, një tjetër detaj që u pasqyrua në mediat serbe ishte edhe gjesti me tre gishta që gazetarja i tregon Kryeministrit të Shqipërisë.

Vetë gazetarja Ksenija Vuçiq thotë se nuk ishte gjest i qëllimtë, por ishte një ilustrim pas pyetjes që i kishte bërë Edi Ramës mbi simbolin e shqiponjës. Ky simbol u shndërrua në objekt debati në Beograd së fundmi, kur kushëriri i një bukëpjekësi shqiptar në Serbi postoi e postoi në rrjetet sociale dhe më pas e fshiu, transmeton Gazeta Shqip.

Kaq mjaftoi që para furrës së bukëpjekësit Mon Gjuraj të grumbulloheshin për disa ditë me radhë protestues ultranacionalistë serbë. Rama e solli si shembull këtë rast për të treguar se simboli i shqiponjës nuk është provokim. Gazetarja iu kthye duke pretenduar se as simboli me tre gishtërinjtë ngritur nuk është i tillë.

“Nëse unë dal nëpër Tiranë me tre gishtat lart, sa e sigurt jam?”, pyeti ajo.

Kryeministri shqiptar iu përgjigj se asgjë nuk do t’i ndodhte, por edhe nëse do të kërcënohej, shtoi me shaka, se do të dilte vetë për ta mbrojtur.