Gent Cakaj: BE të mbajë premtimin që na ka dhënë

Përpara vendimit të ministrave të Jashtëm të BE-së në Luksemburg, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ka deklaruar se Shqipëria pret që BE të mbajë premtimin e bërë për hapjen e negociatave pas njohjes së progresit.

“Shqipëria ka kryer detyrën e saj! Një vendim pozitiv për hapje të negociatave është vendimtar për besueshmërinë e BE-së dhe të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor. Bisedimet për anëtarësim janë të domosdoshme për thellimin e reformave në vend dhe për rolin e BE-së në rajon. Shqipëria pret që Bashkimi Evropian të mbajë premtimin e bërë dhe është gati për të kaluar në fazën e radhës,” shprehet Cakaj në faqen e tij zyrtare në rrjetin social Twitter.

Brukseli pritet ta shtyjë për në vjeshtë hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Gjermania do të përdorë veton me arsyetimin se parlamentarët e saj nuk kanë pasur kohën e mjaftueshme për t’u konsultuar me konkluzionet pozitive të Komisionit Europian për dy vendet e Ballkanit.

Duke folur para takimit në Luksemburg me homologët e tij europianë, kryediplomati gjerman Michael Roth tha se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë përmbushur detyrat, por për arsye kohe Gjermania do e marrë vendimin brenda tetorit.

Ndërkaq, ministri austriak për Europën, Aleksandër Shalenberg, tha se refuzimi i negociatave për dy vendet do të ishte një sinjal i keq për kredibilitetin e BE-së.