Gerarta Ballo, kandidatja shqiptare e Italisë në zgjedhjet europiane

Partia Demokratike e Italisë, forca kryesore e qendrës së majtë, ka shpallur listën zyrtare të kandidatëve për zgjedhjet europiane që do të zhvillohen në 26 maj të këtij viti. Ndër kandidaturat e kolegjit zgjedhor të Italisë së Jugut, është edhe emri i një kandidateje nga komuniteti italo-shqiptar: Gerarta Ballo. 

Ajo e ka nisur jetën e saj në itali në moshën 11 vjeçe dhe ka qenë gjithmonë aktive ndër vite si pjesë e komunitetit shqiptar të Italisë.

Ka kryer studimet në degën e marrëdhënieve ndërkombëtare në Torino dhe ka punuar si gazetare, duke themeluar njëkohësisht disa shoqata të cilat lidhen ngushtë me aktivitetin e saj për të rinjtë, emigrantët dhe gjeneratat e dyta. Në këtë qytet pothuajse 10 vjet më parë drejtonte emisionin radiofonik ‘Shqip in Torino’.

Ajo ka punuar për dy mandate në Ambasadën e Shqipërisë në Romë.Ballo është angazhuar konkretisht për adresimin e problemeve të komunitetit shqiptar dhe arbëresh. Gjithashtu, është marrë me krijimin e rrjeteve mes shoqatave dhe profesionistëve për promovimin e Shqipërisë.

Mbështetje të gjerë ka marrë edhe nga komuniteti shqiptaro-italian dhe miq të shumtë italianë, sidomos në kolegjin zgjedhor të Italisë së Jugut, ku bëjnë pjesë 6 rajone (Abruzzo, Calabria, Campania, Molise dhe Puglia) me pothuajse 14 milionë banorë.

Shqiptarja.com