Gjatë javës ndryshime të mëdha të temperaturave

Sot dhe nesër në Kosovë do të mbajë mot me diell dhe mjaft i nxehtë, me erëra të dobëta deri mesatare drejtimesh të ndryshme dhe me temperatura maksimale nga 28 deri në 32 gradë celsius në nivel vendi.

Në Shqipëri, Maqedoninë Veriore dhe Mal të Zi Sot dhe nesër pritet të mbajë mot me diell dhe mjaft i nxehtë.

Të mërkurën në Kosovë, Mal të Zi dhe veriun e skajshëm të Shqipërisë do të fillojnë të fryjnë erëra të freskëta nga veriu dhe kjo do të shënojë fillimin e depërtimit të një mase të ftohtë ajrore nga veriu e cila do të shkaktojë ulje të temperaturave. Pasdite priten edhe vranësira, ndërsa vende-vende mund të ketë edhe ndonjë rrebesh apo rigë lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë, ndërsa në Shqipëri dhe Maqedoninë Veriore do të mbetet ende nxehtë, por me ulje graduale të temperaturave.

Të enjtën në tërë rajonin do të kemi mot tërësisht të vranët, vende-vende me reshje shiu, ndërsa në Shqipëri priten edhe rrebeshe shiu me vetëtima dhe bubullimë. Do të jetë mjaft freskët./Meteoballkan/