Gjeloshaj: Fitorja në Tuz vendimtare, identiteti kombëtar ishte në rrezik

Nik Gjeloshaj, kandidati që ka fituar më së shumti vota në garën për kryetar të Komunës së Tuzit në Mal të Zi, në një intervistë për gazetën “Zëri” ka thënë se fitorja e zgjedhjeve ishte vendimtare për ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar, i cili ishte në rrezik, shkruan gazeta “Zëri”.

Zgjedhjet e mbajtura të dielën që lamë pas në Tuz të Malit të Zi ishin vendimtare për shqiptarët e kësaj komune, në radhë të parë për kultivimin e identitet kombëtar. Kështu ka deklaruar Nik Gjeloshaj, kryetar i Alternativës Shqiptare, i cili më 3 mars të këtij viti u zgjodh kryetar i Komunës së Tuzit.

Në një intervistë me shkrim dhënë gazetës “Zëri” Gjeloshaj ka pohuar se çelësi i kësaj fitoreje ishte bashkimi i forcave politike shqiptare. Ky unifikim i subjekteve, sipas tij, ishte parakushti kryesor në sensibilizimin e elektoratit shqiptar në gjithë territorin e komunës së Tuzit. Gjeloshaj më tej ka thënë se është në dijeni se gjatë qeverisjes do të përballet me sfida të shumta, porse është zotuar se do të përqendrohet në instalimin e organeve dhe të institucioneve të duhura, që do të jenë në shërbim të nevojave të banorëve të Tuzit.