Gjendet e braktisur në varreza makina e atentatorëve

0
258

Automjeti që dyshohet se u përdor nga autorët e atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoj dhe dy personave të tjerë, u gjet gjatë orëve të mbrëmjes të së premtes e braktisur pranë varrezave të Shkarfanës, tek kthesa e Ishmit, Gjiri i Lalzit. Burime policore bëjnë të ditur se brenda në makinë janë gjetur dy kallashnikovë.

Menjëherë pas atentatit të ndodhur rreth orës 16:30 tek mbikalimi i Shkozetit, në autostradën Durrës-Tiranë, autoritetet u vunë në ndjekje të autorëve, pasi mundën të identifikonin mjetin me të cilin ata udhëtonin. Sa i përket autorëve, ata nuk janë identifikuar ende.

Nga breshëria e plumbave makina me të cilën udhëtonte prokurori i Durrësit Ndoj, sëbashku me Andi Malokun dhe Aleksandër Lahon, doli nga rruga. Të tre personat që ndodheshin në mjet mbetën të plagosur.

Në gjendje të rëndë vijon të mbetet 30-vjeçari Andi Maloku, i cili ishte në timon. Ndërsa 44-vjeçari Ndoj dhe 48-vjeçari Aleksandër Laho janë jashtë rrezikut për jetën.

Ata ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve dhe të ruajtur nga forca të shumta policore./tvklan.al