Gjenerali me ushtrinë kundër qeverisë, mund të derdhen lumenjë gjaku në Libi (video)

Libia rrezikon të përballet me një përplasje të madhe ushtarake mes dy fraksioneve pas rrëzimit të Gadafit në vitin 2011.

Gjenerali Haftar, i mbështetur nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe është duke shkuar me forcat e tij në drejtim të Perëndimit ku ndodhet qeveria e njohur nga Kombet e Bashkuara.

Ata synojnë marrjen e Tripolit, rrjedhimisht edhe të të gjithë kontrollit të Libisë, e cila ka përjetuar një përplasje të dhunshme civile pas rrëzimit të Gadafit.

Perëndimi ka dyshime se Gjenerali është duke u mbështetur fshehurazi edhe nga Rusia, por sot një zëdhënës i qeverisë mohoi çdo lidhje duke thënë se ata janë duke mbajtur rol pasiv në këtë konflikt.

Khalifa Haftar ka një ushtri më vete dhe ka nën kontroll zona të Libisë lindore, ndërsa forcat shtetërore, njohur nga OKB janë në anën perëndimore. Policia në qytetet e Zawiya dhe Misrata postuan mesazhe në rrjetet sociale, duke thënë se do të përballen me Haftar.

“Ne jemi të gatshëm të përballemi me Haftar”, deklaruan ata.

Libia është ndarë në dy fraksione, që pas rënies nga pushteti të Muamar Gaddaf. OKB dhe shtetet e mëdha mbështesin qeverinë e kryeministrit aktual libian Fayez al-Sarraj, mirëpo, kjo qeveri kontrollon vetëm Perëndimin dhe Tripolin, e jo lindjen.

Në një deklaratë të përbashkët të enjten, SHBA, Franca, Italia, Britania e Madhe dhe Emiratet e Bashkuara Arabe bënë thirrje për përmbajtje, pasi kërcënimet ushtarake mund të zhysin Libinë në kaos.