Gjermani, bie numri i dëbimit të azilkërkuesve

0
224

Në vitin 2017 nga Gjermania janë dëbuar gati gjashtë për qind më pak azilkërkues të refuzuar sesa në vitin 2016.

Numri i të dëbuarve nga Gjermania shënoi vitin e kaluar rënie. Në vitin 2017 u riatdhesuan në vendet e tyre të origjinës 23.966 refugjatë, njofton gazeta “Bild am Sonntag”. Kjo shifër është 5.6 për qind më pak se në vitin 2016.

Shumica e deportimeve janë kryer sipas njoftimit të kësaj gazete nga ajri. 98 për qind e refugjatëve janë dërguar në vendet e e tyre të origjinës me avion charter. Por, meqënëse një avion i tillë kushton ndërmjet 130,000 dhe 330,000 euro, Policia Federale Gjermane ka shpenzuar për fluturimet 11 milionë euro. Ndër personat e dëbuar, 60 vetë qenë klasifikuar si të rrezikshëm.

Në negociatat për rikrijimin e një koalicioni tjetër të madh, CSU-ja kërkon që dëbimet për në Afganistan të shtohen. Zëdhënësi për politikën e brendshme i Grupit Parlamentar CDU/CSU Stephan Mayer e kritikoi Ministrinë e Jashtme nën drejtimin e ministrit Sigmar Gabriel (SPD). “Ministria e Jashtme është duke u vonuar prej rreth gjysmë viti për rivlerësimin e situatës së sigurisë në Afganistan”, tha Mayer për Bild am Sonntag. Një rivlerësim i tillë është urgjentisht i nevojshëm për të rritur numrin e dëbimeve.

Shumë azilkërkues të refuzuar kthehen vullnetarisht

Që nga dhjetori 2016 për në Afganistan janë dëbuar deri tani 174 vetë. Që nga mesi i vitit 2017 për afganët është ndaluar dëbimi në vendlindje për shkak të gjendjes së keqe të sigurisë. Ky rregull nuk vlen për afganët që konsiderohen si persona të rrezikshëm ose që janë dënuar për krime.

Një vit më parë, Ministri i Brendshëm Federal, Thomas de Maizière (CDU), kërkoi që numri i dëbimeve të azilkërkuesve të refuzuar të “rritet përsëri dukshëm”. Për këtë nevojitet një “përpjekje kombëtare”, tha de Maizière.

Sa i përket kuotës së kthimit, pra raportit mes numrit të atyre që janë larguar vullnetarisht dhe dëbimeve me detyrim pas vendimit përkatës së gjykatës, Gjermania kryeson në radhën e vendeve të tjera evropiane.

Në vitin 2016 BE-ja llogariti se kuota e kthimit në Gjermani ishte 106 përqind, kurse mesatarja në Evropë ishte 46 përqind. Edhe në muajt e parë të vitit 2017 numri i azilkërkuesve të refuzuar që u larguan vullnetarisht ishte më i madh se i atyre që u dëbuan me forcë./DW