Gjermania kërcënon Rusinë me sanksione

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas ka ngritur mundësinë e sanksioneve ndaj Rusisë nëse Kremlini nuk jep informacion shpejt për helmimin e dyshuar të liderit të opozitës Alexey Navalny.

Maas i tha gazetës gjermane Bild am Sonntag se kishte “disa sinjale” se Moska ishte pas sulmit.

“Nëse në ditët e ardhshme Rusia nuk ndihmon në sqarimin e asaj që ndodhi, ne do të detyrohemi të diskutojmë një përgjigje me aleatët tanë”, i tha zoti Maas të përditshmes gjermane, duke shtuar se çdo sanksion duhet të ketë “objektiva konkrete”. Gjermania është kreu aktual i Bashkimit Evropian.

“Ne kemi pritshmëri të mëdha nga qeveria ruse për të zbardhur këtë krim të rëndë”, tha Maas.

“Nëse qeveria nuk ka asnjë lidhje me sulmin, atëherë është në interesin e saj ta mbështesë këtë me fakte”.

Maas madje nuk përjashtoi sanksionet kundër tubacionit në ndërtim e sipër Nord Stream 2, me vlerë 11 miliardë dollarë, që do të furnizojë gazin rus në Evropë.

“Shpresoj … që rusët të mos na detyrojnë të ndryshojmë pozicionin tonë për Nord Stream”, tha ai. Gjermania nuk do të ngurojë të veprojë në lidhje me ndonjë heqje të mundshme të projektit pas vlerësimit, tha Maas, dhe diskutimet mbi sanksionet nuk duhet të “reduktohen” në një pikë të vetme.

Më herët këtë javë, qeveria gjermane tha se zoti Navalny ishte helmuar me agjentin nervor ushtarak Novichok.

“Vetëm një numër i vogël personash kanë qasje tek Novichok-u dhe ky helm u përdor nga shërbimet sekrete ruse në sulmin kundër ish-agjentit Sergei Skripal”, tha Maas për gazetën Bild./VOA