Gjesti fisnik i çiftit austriak, ushqen 70 familje në Kosovë (foto)

Një çift austriak ka ndihmuar mbi 70 familje skamnore në Suharekë, ku ka sjellë pako ushqimore për ta.

Çifti, Claudia dhe Andreas Jungwirth, nga Austria të shoqëruar edhe nga dy të rinj po kështu nga ky shtet, kanë takuar sot kryetarin e Suharekës, Bali Muharremaj, ku i kanë bërë të ditur se kanë sjellë ndihma ushqimore për familjet në nevojë në këtë qytet.

Andreas Jungwirth, pas luftës, në Kosovë ishte ushtarak i KFOR-it austriak i cili shërbeu në Kampin ‘Casablanka’ në Shirokë të Suharekës në vitin 2003 dhe ai së bashku me bashkëshorten e tij Claudia ka disa vite po e viziton Kosovën dhe po ndihmon familjet skamnore.

Së fundi çifti nga Austria ka sjellë mbi 70 pako ushqimore për familjet në nevojë dhe ka premtuar se do të ndihmojë edhe familje të tjera.

Komuna e Suharekës i ka shprehur falënderim për angazhim çiftit Jungwirth, të cilët janë shprehur të gatshëm tash e sa vite që të ndihmojnë shtresat e varfra në Kosovë.

Ndërkaq edhe në Facebook, Andreas Jungwirth, ka publikuar imazhe gjersa shpërndajnë pako ushqimore për familjet skamnore.