Gjobiten ndotësit e mjedisit, ja sa gjoba janë shqiptuar gjatë muajit janar

0
279
Organizata Let’s Do It ka vazhduar monitorimin e zbatimit të Udhëzimit Administrativ për Gjoba Mandatore nga inspektorët komunal mjedisor dhe qendror dhe shqiptimin e gjobave për ndotësit.
Sipas të dhënave të monitorimit, krahasuar me dy muajt e kaluar, në janar është shqiptuar numër më i madh i gjobave nga inspektorët mjedisor. Gjatë tërë muajit, në tërë komunat e Kosovës janë shqiptuar 123 gjoba, krahasuar me dhjetorin ku u shqiptuan 84 gjoba dhe nëntorin me 89 gjoba.
Edhe kësaj radhe, listës së komunave me më shumti gjoba të shqiptuara i prin Komuna e Prishtinës, me 100 të tilla. Prishtina kishte qenë Komuna që kishte shpërndarë më së shumti gjoba për ndotësit edhe në muajin nëntor [35] e dhjetor [25].
Në listën e janarit, në vendin e dytë për më së shumti gjoba të shqiptuara për ndotësit e mjedisit gjenden Komuna e Deçanit dhe e Malishevës me nga 6 gjoba të shqiptuara nga inspektorët.
Lista vazhdon me Komunën e Pejës ku janë shqiptuar 4 gjoba për ndotësit, dhe Komunën e Suharekës dhe atë të Prizrenit ku janë shqiptuar nga 2 gjoba për ndotësit.
Nga një gjobë është shqiptuar në Komunat si Mitrovica, Istogu e Kamenica.
Ndërsa, në komunat, si: Fushë Kosovë, Obiliq, Skenderaj, Podujevë, Vushtrri, Ferizaj, Gjilan, Viti, Kaçanik, Hani i Elezit, Gjakovë, Klinë, Rahovec, Junik, Shtime, Lipjan dhe Drenas nuk është shqiptuar asnjë gjobë e vetme për ndotësit e mjedisit gjatë muajit janar nga inspektorët mjedisor.
Asnjë gjobë për muajin janar nuk e kanë shqiptuar as inspektorët e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Nga të dhënat e monitorimit rezulton se lloji më i shpeshtë i gjobave të shqiptuara ishte ai për hedhjen e mbeturinave dhe materialeve ndërtimore jashtë vendeve të caktuara.
Gjatë muajit janar, disa nga problemet e identifikuara nga inspektorët për zbatimin e këtij Udhëzimi Administrativ kanë qenë kushtet klimatike, të cilat kanë pamundësuar daljen në terren dhe shqiptimin e gjobave, pushimi vjetor i inspektorëve, mungesa e automjeteve që u duhen inspektorëve për të kryer inspektimin, si dhe mungesa e blloqeve për shqiptimin e gjobave.
Ndërsa, dukur shqetësuese mbetet fakti se inspektorët raportojnë se nganjëherë nuk mund të shqiptojnë gjoba, shkak i afërsisë që kanë ndotësit.
Udhëzimi Administrativ për Gjoba Mandatore është nënshkruar gjatë Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, dhe ka synim reduktimin dhe eliminimin e ndotjes së mjedisit dhe shëndetin e njeriut, mbrojtjen e sipërfaqeve publike dhe private përmes menaxhimit të mbeturinave.
Let’s Do It ju njofton se monitorimi i zbatimit të Udhëzimit Administrativ për Gjoba Mandatore do të vazhdojë edhe muajve në vijim, kur edhe do të bëhen publike të gjitha të dhënat.