Gjykata Kushtetuese i përgjigjet kërkesës së Kadri Veselit

0
222
Gjykata Kushtetuese e ka deklaruar të pranueshme kërkesën e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, lidhur me një amandament të miratuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Më 24 tetor të vitit 2018, Veseli i referoi Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, një amendament të Kushtetutës, të propozuar nga 80 (tetëdhjetë) deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke kërkuar nga Gjykata të bëjë vlerësim paraprak nëse amendamenti i propozuar zvogëlon ndonjë nga të drejtat dhe liritë e garantuara me Kapitullin II të Kushtetutës.
Amendamenti i propozuar parasheh që të shtohet një paragraf i ri pas paragrafit 8 të nenit 22 [Zbatimi i drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare] të Kushtetutës, respektivisht të shtohet edhe paragrafi 9, si në vijim:
“(9) Konventa e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës kundër grave dhe dhunës në familje”.
Siç thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, propozuesit e amendamentit pretendojnë se amendamenti i propozuar “përcakton standarde të rëndësishme në fushën e dhunës kundër grave dhe dhunës në familje dhe ka për qëllim mbrojtjen e grave nga të gjitha format e dhunës, dhe parandalimi, ndjekja penale dhe eliminimi i dhunës kundër grave dhe dhunës në familje.”
Gjykata konstatoi se formulimi i amendamentit të propozuar nuk zvogëlon asnjë nga të drejtat dhe liritë e përcaktuara në Kapitullin II të Kushtetutës.
“Për më tepër, ajo vetëm i avancon dhe i zhvillon këto të drejta”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.