Gjykata pranon 12 veta, pretendues se janë viktima të Thaçit e të tjerëve

0
88

Gjykata Speciale, pranon edhe 12 viktima, në kuadër të aktakuzës së zgjeruar ndaj të akuzuarve Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.

Ata do të marrin pjesë në procesin gjyqësor, ndaj të akuzuarve që ngarkohen për krime lufte.

Gjyqtari i procedurës paraprake ka konstatuar se ka prova ‘prima facie’ se viktimat, të cilët identifikohen me numra, kanë pësuar dëme si rezultat i drejtpërdrejtë i krimeve të pretenduara në aktakuzën e ndryshuar dhe i pranon ato si viktima pjesëmarrëse në procedurë.

Në aktakuzë shkruan se një viktimë është burgosur në mënyrë arbitrare dhe janë kryer tortura çnjerëzore.

Për disa të tjera shkruan se kanë qenë viktima indirekte të persekutimit, burgimit dhe ndalimit të paligjshëm, e për disa të tjerë, se nuk dihet fati i familjarit të tyre.

Në aktakuzë, specifikohen dhe dëmtimet e shkaktuara ndaj disa prej viktimave sic janë plagë fizike, dëmtim mendor (humbje të kujtesës, sulme paniku dhe ankth gjumi) dhe dëm material, si rezultat i drejtpërdrejtë i ndalimit dhe keqtrajtimit të pretenduar..

Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit./rtk/