Gjykimi ndaj deputetit Milaim Zeka dhe dy të tjerëve kthehet në pikën zero

Gjykimi ndaj deputetit të Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka si dhe Edmond Kërliut dhe Ilir Krasniqit, të akuzuar nga Prokuroria Speciale për mashtrim, shmangie nga tatimi dhe pastrim parash, është kthyer në pikën zero.

Kjo ka ndodhur pasi që në mbledhjen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), nuk i është vazhduar transferi gjykatësit Mustaf Tahiri, i cili ka qenë kryetar i trupit gjykues në këtë rast, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Tahiri, siç kishte thënë, për arsye personale dhe familjare, kishte kërkuar përfundimin e transferit edhe para se kjo lëndë të fillonte shqyrtimin gjyqësor, por në atë kohë, KGJK-ja kishte vendosur ta vazhdojë transferin e tij.

Kryesuesi i KGJK-së, Skender Çoçaj ka thënë se në këtë rast është mbajtur vetëm një seancë. Sipas tij, transferi mund të vazhdohet vetëm edhe një vit, ndërsa siç ka thënë ai kjo lëndë ka rreth 950 dëshmitarë dhe mund të zgjasë më shumë se një vit.

Gjykimi ndaj Zekës dhe dy të tjerëve ka nisur, pasi që të dy instancat gjyqësore e kanë konfirmuar aktakuzën ndaj tyre.

Gjykata e Apelit, në shkurt të këtij viti, kishte refuzuar ankesat e avokatëve mbrojtës të deputetit Milaim Zeka, Edomond Kërliu dhe Ilir Krasniqi lidhur me hudhjen poshtë të aktakuzës ndaj tyre.

Apeli kishte lënë në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë, e cila gjithashtu kishte refuzuar ankesat e mbrojtësve të cilët kishin kërkuar hudhjen e aktakuzës.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka, në seancën fillestare të mbajtur më 29 tetor të vitit të kaluar, ishte deklaruar i pafajshëm për veprat penale të mashtrimit, shmangies nga tatimi dhe pastrim të parave.

Të pafajshëm ishin deklaruar edhe dy të akuzuarit e tjerë, Ilir Krasniqi dhe Edmond Kërliu.

Tre të akuzuarit, në konsultim me mbrojtësit e tyre, ishin pajtuar që aktakuza të konsiderohet e lexuar pasi që kanë thënë se e kanë lexuar më parë dhe e kanë kuptuar atë.

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë më 28 gusht 2018, me pretendimin se të pandehurit Ilir Krasniqi, Milaim Zeka dhe Edmond Kërliu kanë kryer disa vepra penale.

Ilir Krasniqi dhe Milaim Zeka akuzohen se prej vitit 2016 deri në mars te vitit 2017 me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror më 2 qershor 2016, kishin krijuar biznesin “Ilir Krasniqi & Milaim Zeka Op”, si agjenci punësimi.

Sipas aktakuzës së përpiluar nga ana e prokurorit Afrim Shefkiu, të pandehurit thuhet se kishin paraqitur fakte të rreme kinse për punësimin e qytetarëve të Kosovës në Gjermani përmes emisionit “Pa rrotlla” duke joshur qytetarët që të aplikonin në zyrat tyre në lagjen “Pejton”, të Prishtinës.

Tutje, pretendohet se në këtë rast ishte përfshirë edhe bashkëshortja e të pandehurit Ilir Krasniqi, Fexhrije Krasniqi, e cila ishte marrë me përgatitjen e dokumentacionit për punësim në Gjermani në biznesin e saj për rregullimin e kopshteve.

Krasniqi dhe Zeka, akuzohen se kishin mashtruar 900 aplikues për viza pune e që me qëllim iu kishin marrë shuma prej 500 deri në 3050 euro duke i ndarë proporcionalisht mes vete.

Kurse, thuhet se pas fillimit të hetimeve 354 personave iu janë kthyer mjetet në vlerë prej 83,850 euro, kurse 546 personave të tjerë nuk u janë kthyer mjetet në shumë prej 261,850.00 euro.

Me këtë, Krasniqi dhe Zeka akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “mashtrimi” nga neni 335 i KPRK-së.

Ndërsa, gjatë periudhës kohore prej 2 qershorit 2016 e deri më 31 dhjetor 2017, sipas aktakuzës, si bashkëpronarë të biznesit të përmendur me dashje direkte u janë shmangur obligimeve tatimore ndaj Administratës Tatimore të Kosovës me ç’rast akuzohen se kanë kryer veprën penale “shmangia nga tatimi”.

I pandehuri Ilir Krasniqi akuzohet po ashtu se me qëllim të fshehjes së burimeve të mjeteve financiare të fituara nga mashtrimi me viza pune dhe shmangies nga tatimi më 19 nëntor 2016, kishte bërë transaksione të dyshimta.

Me ç’rast, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “pastrimi i parave”, nga neni 308 i KPRK-së.

Ndërsa, të pandehurit Zeka dhe Kërliu akuzohen edhe për veprat penale “pastrim i parave”, mashtrimi dhe për veprën penale “shmangie nga tatimi”.

Kurse, i pandehuri Zeka, akuzohet se si pronar i NSH Qendra Mediale “Mozaiku i Kosovës” me dashje direkte të shmangies së obligimit tatimor ndaj ATK-së kishte kryer veprën penale “shmangia nga tatimi”.

Lini një Përgjigje