Grekët dhe maqedonasit e gjetën gjuhën. Po ne shqiptarët?

0
372

Ish-ministri i Jashtëm dhe deputeti i PS, Ditmir Bushati i është drejtuar sot socialistëve të vjetër, Gramoz Ruçit, Musa Ulqinit dhe Pandeli Majkos se është koha për të parë përpara dhe jo për të qenë nostaligjik i së shkuarës.

Gjatë fjalës së tij nga foltorja e Kuvendit, ai kërkoi që Shqipëria të marrë shembullin e Greqisë dhe Maqedonisë.

Ka ardhur koha tha Bushati që edhe shqiptarët të gjejnë gjuhën me njëri – tjetrin.

“Kur e gjeti Greqia dhe Maqedonia, pse mos e gjejnë gjuhën shqiptarët me njëri-tjetrin”, u shpreh i revoltuar Bushati.

Pjesë nga fjala e Bushatit:

Duke dalë nga Parlamenti, unë jam i bindur se opozita ka dëshmuar një lloj frike dhe kapitullimi, por kjo nuk mund të na bëjë ne të jemi arrogantë. Kjo nuk mund të na bëjë ne të shpenzojmë orë të tëra duke u marrë me protestat e opozitës. Ne nuk mund të biem në kurthin e profecisë vetëpërmbushëse. Ne jemi Partia Socialiste e Shqipërisë, ne jemi socialistë, demokratë, progresistë. Ne duam të ndërtojmë një shoqëri më të drejtë, më të mirë, për fëmijët tanë, por edhe për fëmijët e opozitës që nuk janë në sallë. Kjo është arsyeja pse e mbështes propozimin e Damian Gjiknurit për t’i ofruar një hapësirë më të madhe gjithë aktorëve politikë. Sepse unë nuk e konceptojë demokracinë si procedurë të thjeshtë. demokracia procedurë është zëvendësimi i formal i listës së PD dhe LSI, por demokracia është dhe thelb.

Ne jemi në një udhëkryq të madh. Lexova një artikull të “Financial Times” një prej gazetave prestigjioze. E dini me çfarë hapej faqja e parë? Me foton selfie të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut dhe kryeministrit të Greqisë, për arritjen e madhe historike pas 3 dekadash. Unë sot pyes, si ka mundësi zoti Ruçi, si ka mundësi zoti Ulqini, zoti Majko e deri tek kolegia që foli për herë të parë në këtë parlament, pse kur grekët e maqedonasit e gjetën gjuhën për të parë përpara, ne nuk paskemi mundësi për të gjetur gjuhën me njëri-tjetrin?!

A jemi të gjithë Shqiptarë, a jemi pjesë e një kombi?

Pse e kemi kaq të vështirë të turpërojmë veten tonë lart e poshtë.

Pse nuk e gjejmë dot gjuhën për të parë përpara?

Çfarë do ti themi sot ne një 30 vjeçari?

Njerëzit që luftuan gjatë luftës së dytë botërore po mbesin gjithnjë e më pak për shkak të arsyeve biologjike. Njerëzit që kontribuon në komunizëm për atë që quhej pasurie kolektive ose sot janë të dëshpëruar ose e kanë lënë këtë vend për shkak se pasuria u grumbullua në një rreth vicioz njerëzish.

Po 30-vjeçarët që nuk e dinë çfarë ishte komunizmi si do t’ja shpjegojmë këtë prapambetje në raport me fqinjët, jo në raport me Evropën dhe vlerat demokratike.

Do vazhdojmë ti themi ishte faji i Enverit?!

30 vjet është më shumë se nga shpallja e pavarësisë shtet në 1912 dhe në fillimin e luftës së dytë botërore apo pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste.

30 vjet janë më shumë se periudha mes dy luftrave botërore.

30 vjet nuk e justifikojnë dot votën dhe besimin që na kanë dhënë shqiptarët.

Është momenti i fundit të shikojmë nga e ardhmja dhe mos bëhemi nostalgjik të së shkuarës.