Grenell flet me Edi Ramën: Ma bëri të qartë, është i frustruar me BE-në

0
115

Ish-Emisari i presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka zhvilluar një intervistë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Richard Grenell e ka pyetur Ramën për iniciativën e mini-Shengenit dhe shpalljen “non-grata” të ish-presidentit Sali Berisha nga Departamenti i Shtetit. Grenell ka shkruar se Rama ia bëri të qartë se është i frustruar me BE-në.

Rama u shpreh se ai vendim do të thotë se askush s’është mbi ligjin dhe se ka mbaruar koha e pandëshkueshmërisë.

“Do të thoja se në njërën anë është pikëlluese që ta shohësh këtë realitet, por është sinjal që administratat amerikane vazhdojnë që të jenë zë i reformave në drejtësi. Për mua kjo ishte pak a shumë sikur njoftimi për mbarimin e tranzicionit dhe mbarimin e pandëshkueshmërisë. Askush s’është mbi ligjin”, tha Rama.

Ai falenderoi ish-emisarin Grenell për kontributin e tij në iniciativën e mini-Shengenit.

“Së pari, më duhet ta përsëris që ju s’jeni më në rolin e kontribuesit të iniciativës së mini-shengenit për të cilin ju falenderoj për rolin tuaj. Në anën tjetër është një konflikt i pazgjidhur shkaku i mosnjohjes së Kosovës nga Serbia. Por është e mundshme që të zhvillohet jetesa pa barriera mes njerëzve dhe mallrave”, tha Rama.

Kryeministri Rama kritikoi BE-në që s’po merr vendim për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

“BE-ja ka dhënë vlerësimin dhe premtimin që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të anëtarësohen në BE. Në anën tjetër s’ka vendim sepse BE-ja është e bazuar në vendim-marrjen e të gjitha shteteve dhe pastaj kur një shtet s’pajtohet gjithçka ndalohet”, u shpreh Rama.