Grenell tregon prapaskenat: I binda Thaçin e Vuçiqin për ta zhbërë Gjykatën Speciale

Richard Grenell, ish i dërguari special i ish-presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, është rrëfyer gjerë e gjatë për jetën e tij politike, por edhe për prapaskenat e diplomacisë. Gjatë emisionit të gjatë, Grenell foli edhe për negociatat mes ish-presidentit Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Aleksandar Vuçiq, e të cilat i ndërmjetësoi vetë amerikani.

Në një moment, z. Grenell ka rrëfyer edhe për një marrëveshje për ta zhbërë Gjykatën Speciale.

“Por e mora një marrëveshje, si nga Vuçiq i Serbisë dhe lideri i Kosovës, që ishte Thaçi, të dy ata arritja t’i bindja që të binin dakord që të hiqnin gjykatën ndërkombëtare në Hagë. Nuk e di nëse e di këtë histori” – ishte rrëfimi fillestar i Grenellit në emisionin “Top Story nga Grida Duma”.

Në këtë moment ndërhynë zonja Grida Duma, autore e emisionit, duke i kërkuar Grenellit të sqarojë më shumë rreth kësaj teme.

“Do të jem i shkurtë, ajo që bëra në negociata ishte të arrija t’i bindja që ta hiqnin gjykatën ndërkombëtare dhe t’i sjellin sistemet gjyqësore në vendet e tyre dhe ne do ta nënshkruanim këtë si pjesë e marrëveshjes.” – rrëfen Grenell, teksa thotë se gaboi që e njoftoi Departamentin e Drejtësisë.

Tutje, ai e përmendi me emër Jack Smith, ish-kryeprokurorin e Prokurorisë së Specializuar të Gjyaktës Speciale, duke shtuar se Specialja duhet ta lirojë Thaçin.

Kryeministri Rama ka folur shumë hapur për z.Hashim Thaçi dhe çfarë po bëjnë europianët në gjykatën e drejtësisë në Hagë. Ai e ka quajtur Thaçin peng, dhe kjo që po bëjnë europianët është skandaloze. Duhet të jemi të aftë e të shohim përpara. Duhet ta lirojnë Thaçin, duhet ta pranojnë se çështja e Jack Smith ishte politike. Europianët duket sikur po bëjnë një punë të pistë për shkak të politikës”- tha Grenell.

Në emisionin me moderatorën Duma, Grenell foli edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Në rrëfimin e tij, z. Grenell deklaroi se ai mund të trokiste në derën e Trump në lidhje me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij, një gjë e tillë nuk ndodh gjatë kohës së administratës së presidentit Joe Biden.

“Ai do të bëjë bëjë shumë për Ballkanin dhe ka vendosur që përsoni që do të formojë këto marrëdhënie ekonomike jam unë. Mund të shkoja në zyrën e tij kur të doja kur ishte në pushtet dhe të diskutoja për ballkanin. Kritika për Biden është se nuk kemi askënd të tillë. Personat që vënë në drejtim në Ballkan janë njerëz që nuk e njohin zotin Biden, që nuk mund të hynë kurrë në atë godinë”- deklaroi Grenell.

Grenell ka treguar edhe pse e përkrah Trumpin, i cili pritet të kandidojë sërish për president të ShBA-së.

“Unë jam fans i madh i Donald Trump sepse ai ka shumë logjikë. Unë dua një njeri real, që ka cilësinë e mirësjelljes. Media e ka keqkuptuar Trump, ai nuk është fare i pasjellshëm. Është shumë i përulur. Nëse flet negativisht për të dhe e urren por më pas ndryshon mendimin, për të ai do t’ju falë dhe t’ju përfshijë. Ai nuk ju mban armik përjetë.Ai është lloji i njeriut që lufton gjithashtu. Nese e sulmon, ai rikthehet 10 herë më shumë. Unë e respektoj këtë luftë. Tradita është të mbrosh vlerat e tua fort. Prandaj unë këtë shikoj te Donald Tump”-deklaroi tutje Grenell në Top Channel.