Greva në arsim dhe analistët e saj

Shkruan: Lavdim Klinaku

Më shumë se greva në arsim, këto ditë më la përshtypje shtimi i “analistëve të arsimit”. Ata i dëgjoje kudo. Ngado që i lëvizje këmbët e kudo që ndaleshe. Ata, “tanimë kishin kaluar në rrethe edhe më të larta”, jo që analizonin veç verbalisht, po edhe shkruanin, “fatmirësisht” në një vend që nuk cenzuron asgjë, dhe i jepet mundësi çdokujt njësoj – në Facebook. Nivelet e këtyre po shkonin duke shtrirë rrënjët. Pasiqë, në profilet e tyre personale në Facebook nuk merrnin përkrahjen e duhur, po shfytëzonin një faqe me dhjetëra mijëra anëtarë për të rënë në sy më shumë, për t’marrë më shumë “rrahje shpine”,- “Mësimdhënia në Kosovë” më saktësisht 28.750 anëtarë. Këtu është një “thes i madh” i mbushur plot e përplot me njerëz, jo veç mësimdhënës, por, juristë, ekonomistë, arkitektë, dentistë, inxhinierë, gazetarë, infermerë, mjekë, zejtarë, tregëtarë, bravarë, bujq e çka jo tjetër.

Zakonisht, tek ne ndodh fenomeni që të gjithë e dimë profesionin e të gjithëve e më së paku tonin! Ndaluni! Ndaluni së gjykuari punët e tjetrit që nuk merrni erë në të. Shikojini punët tuaja! E kuptoj shqetësimin e Këshillit të Prindërve dhe të prindërve në përgjithësi, e kuptoj gjithashtu faktin se në këtë mes nxënësit janë më të pafajshmit. Por, nuk arrijë asnjëherë të kuptoj pse pala e tretë gjithmonë përfshihet në marrëveshjet e krijuara e ato që do krijohen tash e tutje mes dy palëve të para! Nuk besoj, dhe nuk dua as të mendoj që orët e humbura nuk do të kompenzohen, pavarësisht ligjeve kombëtare e madje edhe ndërkombëtare që parashohin atë. Nuk besoj dhe as nuk dua të mendoj se ne do të tregohemi aq të pashpirtë karshi një qenie aq të pafajshme që janë nxënësit tanë, e ardhmja jonë.

Një kontrast që më ra shpeshherë gjatë këtyre ditëve ta dëgjoja e ta lexoja, ishte, ku kjo kategori njerëzish gjykonin mësimdhënësin dhe e vënin në shënjestër dhe e sulmonin pa mëshirshëm: “Çfarë bëjnë ata, shkojnë rrinë dy-tri orë në shkollë edhe ecin”, e në anën tjetër humbjen e këtyre ditëve të mësimit që fatkeqësisht kaloj në numër dyshifror të ditëve e konsideronin si humbje shumë të madhe. Derisa kompromiset po bëhen edhe mes shtetesh, kush jemi ne që nuk gjejmë një të tillë brenda nesh.

Përfundimisht, kjo gjendje e krijuar e shpresoj shumë shpejt e rregulluar, le të shërbejë si një mësim për ardhmërinë tonë!