Griezmann konfirmon largimin nga Atletico, iu drejtohet tifozëve me mesazh lamtumirës (video)

Antoine Griezmann i është drejtuar tifozëve të Atletico Madridit me një mesazh lamtumirës pak orë pasi e njoftoi klubin se ka vendosur të largohet pas përfundimit të këtij sezoni, duke thënë se ka qenë e vështirë për të ta marrë vendimin e lamtumirës por se e ka ndier nevojën për ta bërë.

Sulmuesi francez ua bëri me dije shefit ekzekutiv Miguel Angel Gil Marin, drejtorit sportiv Andrea Berta dhe trajnerit Diego Simeone sot gjatë një takimi se do të largohet nga klubi në qershor.

Edhe pse vitin e kaluar e vazhdoi kontratën me klubin deri në vitin 2023, me një pagë vjetore prej 23 milionë euro, Griezmann ua ka bërë me dije drejtuesve të klubit se do ta paguajë vetë klauzolën e lirimit në vlerë 120 milionë euro.

Ai ka thënë se Atletico do të jetë gjithmonë në zemrën e tij.

“Pasi kam folur me Cholon, Miquel Angel dhe drejtuesit e tjerë, desha t’iu drejtohem edhe tifozëve të cilët më kanë dhënë dashuri. Kam vendosur të largohem, të përjetoj gjëra tjera, sfida tjera. Këtë vendim e kam marrë me vështirësi të madhe por e kam ndier nevojën ta bëj. Kam kaluar pesë vite të mëdha duke i fituar trofetë e parë të rëndësishëm në karrierën time me këtë klub. Ju jeni në zemrën time prandaj kam dashur ta falënderoj klubin dhe trajnerin”, ka thënë Griezmann.