Guardiola: S’pranoj kurrë të bëhem trajner i Realit apo Unitedit, më shumë ka gjasa të shkoj në Maldive

0
190

Pep Guardiola ka thënë se do të preferonte të jetonte Maldive apo të luante golf më shumë sesa të bëhej trajner i Manchester Unitedit ose Real Madridit kur të vendosë të largohet nga Manchester City.

Trajneri katalonas do të përballet me “Djajtë e Kuq” në stadiumin Old Trafford të martën në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Carabao Cup, garë kjo të cilën Guardiola do të tentojë ta fitojë për të tretën herë radhazi, transmeton Gazeta Express.

“Pasi jam trajner i Manchester Cityt, nuk mund të bëhem kurrë trajner i Manchester Unitedit. Nuk do të bëhesha as trajner i Real Madridit, pasi që kam qenë në Barcelonë”, ka thënë Guardiola në konferencën e fundit për shtyp.

“Do të shkoj në Maldive nëse nuk kam oferta të tjera. Ndoshta jo në Maldive sepse atje nuk ka vend për të luajtur golf”.

Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, e ka kritikuar mënyrën se si Manchester City i përdor ndërhyrje taktike, duke e theksuar atë të Fernandinhos ndaj Daniel James në ndeshjen mes tyre në Premierligë.

“Unë kurrë nuk kam thënë ndonjë gjë në ndonjë takim për ndërhyrje taktike. Nganjëherë ato ndodhin sepse ata janë aq të shpejtë. Kur e humb topin, nganjëherë je vonë dhe e bën një ndërhyrje”, tha Guardiola, duke qeshur.

Gjatë një dokumentari, ish-ndihmëstrajneri i Guardiolës, Mikel Arteta, tani trajner i Arsenalit, i kishte udhëzuar David Silvan, Ilkay Gundoganin dhe Kevin de Bruynen të bënin ndërhyrje kurdo që skuadra tjetër ta fitonte topin dhe ta niste ndonjë sulm.

“Duhet të shkoni në Londër dhe ta pyesni atë për këtë. Ne mesatarisht e kemi 62 për qind të posedimit të topit në ndeshje”, u përgjigj Guardiola, kur u pyet për taktikat e Artetas.

“Nuk mund të bësh ndërhyrje të atilla kur ti e ke topin. Nganjëherë ne e bëjmë ndonjë ndërhyrje dhe ndëshkohemi me një karton të verdhë. Nëse ai mendon se është ashtu, atëherë ne e meritojmë”.