Gucati: Gjykata Speciale tipike jugosllave

Kryetari i OVL të UÇK-së, Hysni Gucati, ka thënë se siç kanë dështuar Gjykatat e tjera, ashtu do të dështojë edhe Specialja, ngase lufta e UÇK-së ishte e pastër dhe e drejtë. Ai madje “Specialen” e ka quajtur gjykatë tipike jugosllave.

Gucati, në “Dossier D” me Fidan Ramën në RTV Dukagjini, ka përmendur edhe organizimin e protestave kundër Speciales, por, siç ka thënë, nuk kanë as kundër kujt të protestojnë.

Kjo pasi, sipas tij, vetë vendorët e kanë votuar atë.

Ai tha se OVL e UÇK edhe përmes peticionit e kishte kundërshtuar Specialen.

Kryetari i OVL-së tha se Qeveria e Kosovës të ndajë mjete financiare për mbrojtjen e komandantëve, që do të gjykohen në Hagë.

“I bëj ftesë Qeverisë dhe institucioneve të Kosovës të ndajnë mjete për komandantët aq sa munden, jo të lënë shtetin dhe qytetarët keq. Nëse është nevoja nuk është ligësi e dobësi të kërkohet ndihmë edhe nga qytetarët për gjeneralët”, tha ai.

Kryetari i OVL të UÇK-së ka thënë se këta gjeneralë dhe shumë të tjerë, që nuk janë në mesin tonë, kanë luftuar për këtë shtet.

“Ne për këta qytetarë kemi dhënë jetën. Kemi mbi 3 mijë dëshmorë, mbi 4 mijë invalidë të luftës dhe mbi 13 mijë qytetarë të vrarë. Atëherë pse të mos japim mbështetjen për këta çlirimtarë, t’i nxjerrim nga drejtësia ku janë atje [Hagë], deklaroi Gucati.