Gucati: Po të ndaleshin pensionet e veteranëve do të kishte reagime të ashpra

0
350

Po të pranonte Gjykata Themelore e Prishtinës kërkesën e Prokurorisë Speciale që të pezullohen pensionet për më shumë se 19 mijë veteranë të luftës deri në përfundim të procedurës penale do të kishte reagime të ashpra e protesta masive në vend.

Kështu ka thënë Hysni Gucati, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në Interaktiv të KTV-së, Gucati ka thënë se gjykata nuk duhet të ndalë pensionin për të gjithë 19 mijë veteranët që dyshohet se janë mashtrues. Sipas tij, në mesin e këtyre listave ka shumë ushtarë të vërtetë të UÇK-së.

Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj 12 personave, anëtarë të Komisionit Qeveritar për verifikimin e veteranëve. Të akuzuar për mashtrim me lista të veteranëve të UÇK-së janë, Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbim Demaliaj, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Fadil Shurdhaj, Xhavit Jashari, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku dhe Smajl Elezaj. Për këtë rast, Gucati ka thënë se dosja duhet të rivlerësohet shpejt e të mos ketë vonesa të panevojshme.

“Në listë gjenden një numër i madh i ushtarëve të vërtetë që ishin në luftë dhe kjo ishte arsyeja pse e kemi kundërshtuar pasi në listë ka ushtarë të vërtetë. Do të kishte reagime të ashpra dhe protesta masive për hir të ushtarëve të vërtetë. Ne i kemi bërë ftesë Prokurorisë që ta çojë deri në fund rastin. Në këtë listë nuk mund të themi se të gjithë janë mashtrues. Në mesin e 19 mijë vetëve ka njerëz të mirë, e ushtarë të vërtetë të UÇK-së”, ka thënë ai. “Kemi aplikuar secili veç e veç dhe secili duhet të shqyrtohet ashtu e jo në forma kolektive”.

Ai ka bërë të ditur se pensione prej 170 eurosh marrin më shumë se 38 mijë persona. Këtu ka thënë se kjo shifër është absurde dhe se asnjë familje s’mund të mbahet me 170 euro. Ka shprehur bindjen se ky pension do të rritet brenda këtij viti, edhe pse ai është i lidhur me ligj me pagën minimale. Gucati ka bërë të ditur se veteranët do të ishin të kënaqur nëse ky pension arrin vlerën e 250 eurove.

Gucati ka thënë se faj në listën e të dyshuarve si veteranë të rrejshëm kanë të gjitha partitë politike. Sipas tij, ka pas marrëveshje politike që të futen më shumë njerëz në këto lista për të përfituar në vota.

Ai ka deklaruar se numri prej 40 mijë veteranëve është shumë i madh, por se shifra e vërtetë është mbi 15 mijë.

Gucati ka komentuar edhe deklaratën e ambasadorit zviceran se Zvicra po kontribuon në Kosovë duke paguar ujësjellës, e shteti po i paguan veteranët e rrejshëm. Gucati ka falënderuar Zvicrën për ndihmën, ndërsa ambasadorit Jean-Hubert Lebet i ka dërguar ftesë që të dëshmojë për këtë rast dhe të tregojë se kush janë veteranët e rrejshëm.

“E përshëndes ndihmën e Zvicrës para, pas dhe gjatë luftës. I kam bërë thirrje ambasadorit të na ndihmojë e të dëshmojë ato raste sepse kemi edhe në Zvicër që marrin pagën e veteranit që s’u takon. Në krejt Evropën ka shqiptarë të Kosovës që kanë mashtruar. Le të na ndihmojë në këto raste”, ka thënë Gucati.

Sipas tij, ftesat e fundit të Gjykatës Speciale janë vrasje e dytë për shqiptarët e Kosovës. Ka thënë se tash do të vijë “një avaz i furishëm” i ftesave për ushtarët e UÇK-së. Sipas tij, flitet se ka mbi 40 ftesa./koha.net/