Guvernatori Mehmeti: Sektori bankar është bërë i besueshëm te qytetarët dhe ekonomia

Në Ditën Ndërkombëtare të Bankave, Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka vlerësuar lart përpjekjet e sektorit bankar në mbështetje të zhvillimit ekonomik, sjelljes së inovacionit dhe modernizimit të vazhdueshëm të shërbimeve.

Mehmeti tha se, përgjatë viteve, sektori bankar është rritur, është bërë konkurrues, tërheqës për investime, por edhe i besueshëm te qytetarët dhe ekonomia.

“Vlen të theksohet angazhimi i pakursyer i këtij sektori që nga shfaqja e pandemisë në vendin tonë, ku përmes bashkëpunimit është arritur që t’u dilet në ndihmë qytetarëve dhe bizneseve në njërën anë dhe në anën tjetër duke e mbajtur sektorin bankar të sigurt dhe likuid”, tha guvernatori Mehmeti.

Ai tha se më 19 dhjetor 2019, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën 74/245, e cila përcaktoi 4 dhjetorin si Ditë Ndërkombëtare të Bankave përmes të cilës njihet potenciali i rëndësishëm i bankave në zhvillimin e financimit të qëndrueshëm dhe sigurimin e ‘know-how’, dhe gjithashtu në njohjen e rolit jetësor të sistemeve bankare në Shtetet Anëtare për të kontribuar në përmirësimin e standardit të jetesës.