Hahn: Ja tre shtetet që janë skeptike për hapjen e negociatave me Shqipërinë

Eurokomisioneri Johannes Hahn thotë se tre shtete të Bashkimit Europian janë skeptike për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. Në një konferencë shtypi lidhur me integrimin në BE të Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut, eurokomisioneri bëri me dije se nuk është marrë asnjë vendim dhe sqaruar se duhet më shumë kohë për vendimmarrje, dhe kjo pritet të ndodhë në muajin Tetor.

“Franca, Gjermania dhe Danimarka janë skeptike për çeljen e negociatave me BE-në. Gjermania kërkon më shumë kohë. Kërkohet më shumë kohë që vendet e Bashkimit Europian të bëjnë vlerësimin e tyre në lidhje me çeljen e negociatave“, tha Hahn.

I pyetur nga gazetarët nëse kriza politike në Shqipëri ndikon në vendimin për negociatat, eurokomisioneri u shpreh se vendi ynë ka pasur kushte specifike, megjithatë situata aktuale nuk mund të anashkalohet.

“Sot që shikoni Shqipërinë mund të jeni të shqetësuar për krizën politike. Por duhet ndarë ajo që është dakordësuar mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Janë 5 prioritete që Shqipëria duhet t’i realizonte. Shqipëria i ka realizuar, në veçanti reformën në drejtësi. Por nuk mund të injorojmë krizën politike. Situata e brendshme politike e Shqipërisë ka ndikuar tek vendet e BE-së”.

Megjithatë, eurokomisioneri Johannes Hahn tha se shpreson që në muajin Tetor të merret vendim pozitiv për çeljen e negociatave për vendet e Ballkanit Perëndimor.