Hahn në Mynih: Marrëveshja Kosovë-Serbi është në dobi të qytetarëve

Komisionari evropian për Zgjerim, Johaness Hahn, gjatë Konferencës së Sigurisë në Gjermani ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi është në interes të qytetarëve të këtyre dy vendeve.

“Ne duhet të përpiqemi të arrijmë një marrëveshje sa më shpejt që të jetë e mundur, sepse pas zgjedhjeve në BE do të ketë një situatë tjetër. Prandaj ju nxis që të punoni në një zgjidhje konstruktive dhe të gjeni një kompromis. Me të vërtetë mbështetem në angazhimin tuaj”, ka thënë Hahn.

“75% e njerëzve në rajon janë në favor të një marrëveshjeje. Çështja më e ngutshme është situata ekonomike”.

Hahn tha se dialogu është me rëndësi për perspektivën evropiane, por dhe përmirësimin e kushteve të jetës, pasi kur palët bllokojnë njëra-tjetrën, ato njëherësh bllokojnë edhe të palët tjera, si dhe vetë stabilitetin në rajon.