Hahn vizitë zyrtare në Tiranë, çfarë diskutoi me Ramën

0
431
Pas vizitës në Kosovë, Komisioneri i BE-së për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn u takua sot në Tiranë me kryeministrin Edi Rama. Gjatë takimit të tyre u diskutua gjerë e gjatë në lidhje me reformat që lidhen me integrimin e vendit në BE dhe zhvillimet e fundit politike në rajon.
Komisioneri nënvizoi se është e rëndësishme të vijohet me impulsin e mirë të vitit të kaluar për të dhënë rezultate të prekshme në programin e reformave, çka është vendimtare duke pasur parasysh vendimin e ardhshëm të Këshillit të BE-së lidhur me hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë në qershor 2019.
Reforma në drejtësi vazhdon të japë rezultate dhe ristrukturimi institucional i gjyqësorit duhet të përfundojë brenda javëve të ardhshme.
Komisioneri Hahn vuri në dukje veprimet e kohëve të fundit kundër krimit të organizuar si një shenjë pozitive në këtë drejtim, që megjithatë duhet të bëhet pjesë e një vazhdimësie arritjesh solide dhe të pasohet me ndjekje penale dhe dënime përfundimtare. Lufta kundër krimit të organizuar dhe lufta kundër korrupsionit në të gjitha nivelet mbeten prioritete në marrëdhëniet BE-Shqipëri.
Komisioneri shprehu shqetësim rreth numrit ende të lartë të aplikimeve të pabazuara për azil nga qytetarë shqiptarë në disa shtete anëtare të BE-së./BalkanWeb/