Hajnat i lidhin familjarët dhe grabisin shtëpinë

Tre persona të paidentifikuar dhe me maska në kokë kanë grabitur një biznesmen në Shkozet të Durrësit, ndërsa nga të dhënat e para thuhet se vlera e grabitur është rreth 10 mijë euro.

Grabitësit nën presionin e armëve mësohet se kanë lidhur familjarët brenda në shtëpi dhe prej aty kanë marrë sasinë e eurove dhe janë larguar. Në ikje e sipër, grabitësit kanë marrë edhe djalin e familjes, por e kanë  lanë të lirë disa kilometra më tutje.

“Kanë qenë tre persona të armatosur që i kanë zënë prit tek dera e shtëpisë biznesmenit të fushës së transportit  ndërkombëtar. Fillimisht kanë lidhur të zotin e shtëpisë dhe bashkëshorten, ndërsa njëri prej tre grabitësve ka mbajtur nën presion djalin e shtëpisë.

Po merret në pyetje biznesmeni. Ai ka dalë shëtitje me djalin për një kafe dhe kur është kthyer ka ndodhur ngjarja.”, njoftoi gazetarja nga Durrësi, Klodjana Haxhiaj.

Menjëherë policia ka ngritur pika kontrolli në të gjithë zonën, por ende nuk dihen personat e kësaj ngjarje të rëndë. Edhe pse të terrorizuar, biznesmeni dhe familjarët e tij janë shoqëruar në polici për të dhënë dëshmi rreth kësaj ngjarje. Emri i biznesmenit nuk behët me dije ndërsa mësohet se aktiviteti i tij ishte kryesisht në transportin ndërkombëtar. /Mapo.al