Hale në Beograd kërkon heqjen e taksës dhe ndalimin e provokimeve nga të dy palët

Nënsekretari amerikan për Çështje Politike, David Hale është takuar sot në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq është takuar sot me njerin e tretë të departamentit të shtetit amerikan, nënsekretarin për Çështje Politike, David Hale.

Tema kryesore e bisedës së tyre ka qenë gjendja në Kosovë, pasi Hale pas Beogradit do ta vizitojë Prishtinën, raportojnë mediat serbe, transmeton lajmi.net.

Hale ka bërë thirrje për heqjen e taksës së vendosur nga Prishtina për mallrat serbe por edhe ndalimin e provokimeve përfshirë vazhdimin e dialogut, ka njoftuar Ambasada amerikane në Beograd nëpërmjet një postimi në Twitter në lidhje me takimin e tij me Vuçiqin.

“SHBA bëjnë thirrje për heqjen e taksës, ndalimin e provokimeve dhe vazhdimin e dialogut. Nënsekretari Hale gjatë bisedës me presidentin Vuçiq ka theksuar se SHBA-të vlerësojnë partneritetin me Serbinë dhe dëshirojnë të ndërtojnë raporte edhe më të fuqishme”, thuhet në postimin, transmeton lajmi.net.

Hale para vizitës në Beograd kishte deklaruar se ekziston mundësia që gjatë këtij viti të arrihet një marrëveshje mes Beogradit dhe Prishtinës por insistoi se SHBA-të nuk do të japin një recetë për zgjidhje.

Departamenti i shtetit amerikan ka njoftuar se Hale në Prishtinë do të bisedojë me liderët shtetëror për “shansin historik të arrihet një marrëveshje për normalizimin e raporteve me Serbinë”.

Lini një Përgjigje