Hamilton fiton titullin e gjashtë të Formula 1

0
154

Piloti britanik i Mercedesit, Lewis Hamilton, ka siguruar titullin e gjashtë të kampionit në Formula 1, me vendin e dytë, që e zuri të dielën në garën e Shpërblimit të Madh të SHBA-së.

Hamiltonit i duhej vetëm të përfundonte në vend të tetë të dielën për të siguruar titullin e gjashtë të kampionit. Mirëpo, britaniku luftoi për fitore dhe në fund doli i dyti, vetëm prapa kolegut të skuderisë Valtteri Bottas.

Hamilton është vetëm një titull larg rekordit që e mban legjenda Michael Schumacher. Hamilton është i dyti në listën me tituj të fituar tash, me gjashtë sish.

“Jam shumë i emocionuar. Ishte garë e vështirë sot dhe dje në kualifikime patëm ditë të vështirë. Valtteri ka bërë punë të mrekullueshme dhe e përgëzoj atë. Unë nuk e dija nëse është e mundur të luftoja për fitore sot, por punova sa më fort që ishte e mundur. Kur isha fëmijë babai më thoshte që kurrë të mos dorëzohem, kjo është motoja e familjes sonë. Unë luftova fort dhe po shpresoja të fitoja, por nuk pata gomat për këtë”, ka thënë Hamilton, që nisi garën nga pozita e pestë startuese.

Ai ka 381 pikë në renditje të përgjithshme, plot 67 më tepër se Bottas që zë vendin e dytë.

I pyetur se sa tituj të tjerë po shënjestron, ai ka thënë: “Unë nuk di për tituj, por si sportist ndihem po aq i freskët sa mund të jesh. Do të vazhdoj të jap më të mirën në garat e mbetura dhe dua të falënderoj të gjithë tifozët britanikë që erdhën këtu në SHBA në fundjavë”.

Deri në fund të stinorit të Formula 1 kanë mbetur edhe dy gara, por titujt janë vendosur si në konkurrencë individuale ashtu edhe të konstruktorëve. Mercedesi e ka fituar më herët titullin e konstruktorëve.

Vendin e tretë të dielën në garën në SHBA e zuri holandezi i Red Bullit, Max Verstappen, ndërsa pozita e katërt i takoi Charles Leclercut të Ferrarit derisa ajo e pesta Alexander Albonit të Red Bullit.

Gara e radhës e Formula 1 është ajo e Shpërblimit të Madh të Brazilit, që mbahet më 17 nëntor.