Hamiti: VV-ja me propozimet për ministri tregoi që s’ka kuadro për pozitat kyçe qeverisëse

0
183

Muhamet Hamiti nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se Vetëvendosja me propozimin për pesë ministritë, që do të merrte potencialisht kjo parti në një koalicion qeverisës me LDK-në, ka treguar se s’ka kuadro për pozitat kyçe qeverisëse.

Kështu ka thënë ai kur është pyetur për të komentuar propozimin e kryetarit të VV-së Albin Kurti që ish-ambasadori Blerim Reka të jetë ministër i Punëve të Jashtme në një qeveri VV-LDK.

“S’do të doja të komentoja për Blerim Rekën, por për VV-në që siç po shihet e ka të vështirë të sigurojë kuadro për pozitat kyçe qeverisës. Edhe për shkak të këtij propozimi që ishte ambasador dhe kanë pak njerëz që do të mund të ishin të dinjitetshëm për poste qeveritare. LDK-ja ka më shumë”, ka thënë ai në Intearktiv të KTV-së.

Hamiti është shprehur optimist për arritjen e një marrëveshjeje mes dy partive, ndërsa ka shtuar se kërkesa e LDK-së që të merrte postin e presidentit dhe të kryeparlamentarit s’është kërkesë maksimaliste, por “balanc reciprok i pushteteve sepse dihet fuqia e kryeministrit, të cilin e merr VV-ja”.

Ai ka thënë se është pro idesë që presidenti të zgjidhet me votë direkt nga populli, por ka shtuar se “nuk shoh shanse që në ambientin tonë e me skenën politike tonë të arrihet marrëveshje për ndryshim të Kushtetutës”.