Haradinaj i reagon ambasadorit Lebet, zbulon se veteranë mashtrues ka edhe në Zvicër

Deklarata e ambasadorit zviceran në Kosovë, Jean-Hubert Lebet, “Ju paguani veteranë të rrejshëm, ne investojmë në projektet tuaja”, ka lënë nam te publiku kosovar. Ambasadori ka kritikuar lidershipin kosovar duke thënë se po paguajnë veteranë të rrejshëm ndërsa po i lënë ndërkombëtarët të investojnë në projekte qenësore për qytetarët. Për këtë deklaratë, Gazeta Express ka marrë një reagim nga përfaqësuesi i OVL-UÇK-së Nasim Haradinaj. Ai i thotë ambasadorit se veteranë të rrejshëm ka edhe në Zvicër, për çka i ka bërë thirrje të reflektojë në zbardhjen e këtyre rasteve.

Gjithçka ka nisur në Skenderaj kur ambasadori Lebet foli para të pranishmëve në përurimin e ujësjellësit në disa fshatra. Si kurrë më parë njeriu kryesor i Zvicrës në Kosovë tha se nuk është normale që qeveria prej nga vjen ai të financojë projekte të tilla, kur Kosova ka para, por që, sipas tij, po keqpërdoren. Duke përmendur konkretisht veteranët e rrejshëm.

Për këtë deklaratë Gazeta Express ka kontaktuar me Nasim Haradinajn nga OVL e UÇK-së, i cili i thotë ambasadorit se pjesë e veteranëve të rrejshëm është vetë Lebet dhe Zvicra.

“Na mas pari nuk dojm m’u marrë më atë ambasador… e ka shfrytëzu rastin. Ka veteranë mashtrues jo të rrejshëm në Kosovë… Ai ka edhe veteranët e vet në Zvicër, pjesë e veteranëve të rrejshëm është vetë ambasadori dhe vetë Zvicra”, tha Haradinaj.

Ai ka bërë thirrje që Zvicra t’u dalë në ndihmë për identifikimin e këtyre veteranëve.

“E ka pranu në fund të fundit vetë ambasadori, presim që të ndërmerr diçka m’i zbulu veteranët e rrejshëm… që janë shqiptarë e kanë nënshtetësi zvicerane”, tha Haradinaj për Express.

“Urojmë që përveç fjalëve të ketë edhe vepra ambasadori”, përfundoi Haradinaj.

Ndryshe, ndaj kësaj deklarate të ambasadorit ka reaguar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili ka thënë se në vendin ku po përurohet ujësjellësi, ka shumë luftëtarë të vërtetë të cilët kanë qenë në UÇK.

“Këtu ku sot do të bëhet përurimi i këtij investimi i cili është shumë i madh, i nderuari ambasador, ka pasur luftëtarë të cilët kanë qenë vetëm luftëtarë të vërtetë të UÇK-së. Ka shumë heronj kjo zonë, por ka edhe njerëz të cilët i japin kontribut edhe sot paqes. Ky vend ka ditur t’i japë luftëtarë, por edhe politikanë shumë të mëdhenj, sot e kemi edhe presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pikërisht nga ky regjion”, tha ai.