Haradinaj i reagon Kurtit: Impianti në Gjakovë nisi në qeverisjen time

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka kritikuar kryeministrin e vendit, Albin Kurti, se po i merr meritat për projektin e impiantit për përpunimin e ujërave të zeza në Gjakovë.

Haradinaj tha se impianti ka filluar të ndërtohej gjatë qeverisjes së tij, është bashkëfinancuar nga qeveria gjermane, ajo zvicerane e komuna e Gjakovës, ndërsa ka përfunduar në kohën e Qeverisë Kurti.

“Është mirë të jemi modestë në përvetësimin e meritave. Në rastin konkret impianti ka filluar të ndërtohet gjatë qeverisjes sime, është kryer nga ata që e kanë financuar dhe ka përfunduar në kohën e kësaj qeverie.

Të shpresojmë që qeveria e ardhshme të ketë kënaqësinë që t’i inaugurojë projektet që i nisë qeveria e sotme. Thashë, të shpresojmë”, shkroi Haradinaj.

Tutje, kreu i AAK-së u shpreh i lumtur që ky investim sot është në dobi të qytetarëve të Gjakovës, teksa shtoi se “asgjë nuk pikon nga qielli, por është rezultat i një angazhimi të jashtëzakonshëm, edhe i donatorëve por edhe i Komunës së Gjakovës”.