Haradinaj: Kërkesat e Shoqatës së Invalidëve nuk janë përfillur nga qeveria Kurti

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka pritur në takim përfaqësuesit e Shoqatës së Invalidëve Civil të Luftës.

Ai ka thënë se kjo kategori është duke u përballuar me vështirësi të përditshme si pasojë e mospërfilljes nga qeveria Kurti.

“Vendi ynë e pagoi shtrenjtë lirinë që e gëzojmë sot. Gjatë luftës së fundit shumë familjarë humbën më të dashurit e tyre e shumë tjerë e pësuan edhe me humbjen e gjymtyrëve, pasoja të cilat i vuajnë edhe sot. Të njëjtin fat e përjetuan edhe shumë vëllezër e motra civilë. Sot, me Shoqatën e Invalidëve Civilë të Luftës biseduam për sfidat me të cilat vazhdojnë të përballen çdo ditë. Mungesa e protezave dhe pensionet e ulëta e kanë vështirësuar tejmase pozitën e tyre. Fatkeqësisht, kërkesat e kësaj kategorie nuk janë përfillur nga kjo qeveri. Është i papranueshëm mohimi që i bëhet nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë në mbulimin e trajtimit mjekësor. Kjo kategori e shoqërisë nuk e ka vendin në rrugë, ashtu siç protestuan së fundi në kërkim të të drejtave të tyre, por duhet t’i mundësohet trajtimi meritor që iu takon. U zotova para tyre që në momentin e parë që do të jemi në vendimmarrje do t’i trajtojmë me kujdes dhe do të kujdesemi për plotësim të kërkesave të tyre. Kosova e ka borxh kujdesin ndaj njerëzve të saj!”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.

Lini një Përgjigje