Haradinaj letër ambasadorëve të Quint-it dhe atij të BE-së: Taksa hiqet kur të plotësohen këto kushte

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj ua ka dërguar sot një letër ambasadorëve të Quintit dhe ambasadorit të BE-së në Kosovë.
Në këtë letër, Haradinaj ka sqaruar pse e ka marrë vendimin për taksën ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës.
Shefi i qeverisë së Kosovës, në letër ka shkruar se taksa do të hiqej nëse SHBA-ja dhe BE-ja organizojnë një konferencë, ku do të sigurohej njohja e Kosovës nga Serbia.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimi Evropian (BE), pas marrjes së hapave praktik për inicimin dhe mbështetjen e një konference ndërkombëtare (“Konferenca”) me qëllim të arritjes së një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të pazgjidhura ndërmjet dy vendeve – konferenca duhet të fillojë sa më parë që është e mundur pas plotësimit të rrethanave të përshkruara në paragrafët 2 deri në 5 më poshtë dhe duhet të përfundojë brenda 14 ditëve”, thuhet në letrën e Haradinajt.
Letra e plotë:
Pas marrjes së vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND-së) se shpallja e pavarësisë nga ana e Kosovës në vitin 2008 nuk ishte e paligjshme, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi Rezolutën nr. 64/298 (2010), e cila njohu përmbajtjen e Opinionit të GJND-së dhe mirëpriti “gatishmërinë e Bashkimit Evropian për të lehtësuar procesin e dialogut ndërmjet palëve”.
Ne kemi bindje të thelle që mund të arrihet në vitin 2019 një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e detyrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila do t’i adresojë të gjitha çështjet e pazgjidhura, duke përfshirë reparacionet e luftës, të drejtat e minoriteteve në të dyja vendet, si dhe çështjet e ndryshme ekonomike, sociale dhe kulturore – duke shpjer në njohjen e ndërsjellë dhe anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Më 21 nëntor 2018, Qeveria e Kosovës vendosi një taksë prej 100% (‘taksa’) mbi importin e mallrave me origjinë nga Serbia si dhe nga Bosnja dhe Hercegovina. Taksa ka ardhur si përgjigje ndaj shkeljeve të vazhdueshme të Marrëveshjes për Tregti të Lirë me Evropën Qendrore (CEFTA) dhe akteve të vazhdueshme të agresionit që kanë për qëllim dëmtimin e shtetit të Kosovës.

Lini një Përgjigje