Haradinaj: Milan Radojiçiqin e takova bashkë me presidentin në zyrën e Thaçit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka mbajtur një konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë.

I pyetur për deklarimet e presidentit Thaçi se ai e ka ndjekur nënkryetarin e Listës Serbe dhe të dyshuarin kryesor për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, Milan Radojçiq, Haradinaj ka thënë se nuk e fsheh bashkëpunimin që ka pasur me të.

“Unë nuk dua të komentoj rastet ku është përfshirë drejtësia, pra tashmë dihet se Radojçiqi është i kërkuar nga drejtësia dhe çdo koment mbi proceset ligjore është gabim. Unë kam bashkëpunuar me të si përfaqësues i Listës Serbe”, ka thënë Haradinaj, shkruan Ballkani.info.

Tutje, Haradinaj ka thënë se Radojçiqin e kishte takuar edhe në zyre të Thaçit.

“Njëherë e kam takuar edhe Thaçin e Radojçiqin së bashku në zyrën e tij (të presidentin), ndërsa nuk është pjesë e karakterit të tim që të fsheh diçka, nëse dikujt i zgjas dorën unë nuk e fsheh këtë gjë. Ish presidentit amerikan, Abraham Lincoln-it i kishte thënë një person se ‘babai yt ka punuar këpucët në shtëpinë time’, ndërsa Lincolni ishte përgjigjur ‘a keni ndonjë problem me këpucët?’, pra çfarë dua të them është se nëse dikush ka vërejtje për punën që kam bërë me Radojçiqin si përfaqësues i Listës Serbe le të urdhërojë e të flasë”, ka thënë në fund Haradinaj.

Kujtojmë se prokuroria ditën e djeshme kishte konfirmuar se gjatë bastisjes në Mitrovicën veriore ku u arrestuan tre persona ndërsa u arratis Milan Radojçiq, kishin gjetur edhe mbi 50 gram kokainë. /Ballkani.info